Shpërblimi për buxhetorët, sa tatohet dhe kush përfiton më shumë
Ervin KOÇI
Administrata shtetërore nuk e ka përfituar të plotë shpërblimin e festave të fundvitit. Shkak për këtë janë bërë përmbytjet e zonës së Shkodrës, por edhe sistemi i taksimit mbi pagën i cili ka reduktuar këtë shpërblim në gjysmën e tij të premtuar. Kjo gjë ishte goditja e dytë pas heqjes së pagës së 13-të që administratës iu bë me anë të një VKM-je. Prej një jave ka nisur shpërndarja e shpërblimeve të akorduar nga qeveria për administratën, por në fakt buxhetorët kanë marrë deri në 9 mijë lekë, pasi 1 mijë lekë u janë mbajtur që në fillim si detyrim nga tatimi prej 10 përqindësh. Por po kështu edhe pse shpërblimi është marrë në shumën 9 mijë lekë nga 10 i deklaruar, administratës do t’i mbahet nga paga e janarit edhe shumë prej 3-4 mijë lekësh që punonjësit e kanë “dhuruar” pa dëshirë për zonat e përmbytura në Shkodër. Të paktën të gjitha drejtoritë që varen nga ministritë i kanë marrë shpërblimet, dikush më herët dhe të tjerët në fillim të kësaj jave siç ishin punonjësit e administratës së arsimit. Në prije të shpërblimit kanë mbetur institucionet e pavarura, të cilat kanë paraqitur kërkesat në degët e thesarit dhe presin përgjigjen finale.
Fatura e shpërblimit
Në total fatura që duhet të paguajë qeveria për shpërblimet e ftesave të fundit llogaritet të shkojë në të paktën 800 milionë lekë, ose rreth 8 milionë dollarë, pa llogaritur efektet që rrjedhin nga shpërblimet e mundshme të pensionistëve, me 5 mijë lekë, fatura e të cilëve shkon në rreth 2.6 miliardë lekë. Vendimi për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë për “Statusin e nëpunësit civil” përcakton në mënyrë të qartë formulën e shpërblimit, ku thuhet qartë se shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, jepet i diferencuar nga drejtuesi i njësisë së qeverisjes së përgjithshme, por jo më shumë se një pagë mujore në vit. Sipas vendimit, ky shpërblim në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, jepet i diferencuar në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil dhe në përputhje me fondin e shpërblimit në dispozicion.
Administrata
Për administratën publike ofrohen të tjera shanse për të marrë shpërblim. Bëhet fjalë për atë kategori punonjësish që kanë dhënë rezultate pozitive në punë, të cilët mund të përfitojnë një pagë shtesë me pëlqimin e shefit dhe me firmën e ministrit. Shpërblimi i titullarit të njësisë së qeverisjes së përgjithshme dhe fondeve speciale bëhet pas miratimit të eprorit të tij ose pas miratimit të organeve kolegjiale për ato njësi që funksionojnë me drejtim kolegjial. Ky shpërblim jepet vetëm në muajin dhjetor të vitit aktual. Në këtë rast, përjashtime bëhen në rastet e punonjësve që punojnë për shtimin e të ardhurave dhe konkretisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit mund të jetë deri në dy paga mujore në vit. Shpërblimi mbi një pagë mujore në vit kushtëzohet vetëm për punonjësit që kontribuojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e të ardhurave tatimore, pas miratimit të një udhëzimi të veçantë për kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimit, i cili miratohet nga ministri i Financave. Me ndihma të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste të tjera, të cilat përballohen nga fondi faktik i veçantë, përfshihen edhe pagesat për rastet e vdekjes së punonjësit ose të një anëtari të familjes, nga 10 000 - 30 000 lekë. Gjithashtu, ndihmohem edhe ata punonjës që sëmurën rëndë, me shuma që shkojnë nga 30 mijë deri në 50 mijë.
Pensionistët
Sa i takon pensionistëve, kjo kategori ka marrë në fund të çdo viti të paktën nga 5 mijë lekë, si “kartolinë” që Kryeministri e quante të vlefshme për blerjen e gjelit të detit. Zyrtarisht, Ministria e Financave nuk është shprehur ende se çfarë vendimi do të marrë, kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e veprimeve në thesar.
BOX////////////////////////////////
Qeveria heq dietat për ekspeditat mësimore dhe rrit ato të administratës
Qeveria vendosi edhe heqjen e dietave ditore që studentët përfitonin gjatë ekspeditave mësimore. Studentë që ndjekin studimet në degë të tilla si Gjeografi, Histori, Biologji, etj., dërgohen për ekspedita për disa ditë nga fakulteti, e cila llogaritet si lëndë mësimore. Për çdo ditë të kaluar në udhëtim, studentët trajtoheshin me një dietë rreth 700 lekë vetëm për të ngrënë ndërsa, fjetja dhe transporti mbulohej nga fakultetet. Tashmë, pas vendimit të djeshëm të qeverisë, asnjë student nuk do të përfitojë dieta për ushqim, ndërsa shpenzimet e transportit dhe fjetjes do të vazhdojnë të hiqen nga fakulteti. Krahas dietave të studentëve, vendimi i qeverisë trajton edhe ato për punonjësit e administratës qendrore dhe të institucioneve kushtetuese që do të dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës. Vendimi parashikon mbulimin vetëm të shpenzimeve të transportit kur ai nuk bëhet nga institucioni ndaj tyre, në rastet kur ata dërgohen me shërbim në një largësi deri në 100 kilometra nga vendi i punës. Punonjësi duhet të mbajë biletën e udhëtimit. Në rastet kur kemi të bëjmë me shërbime me largësi më të madhe se 100 km nga vendi i punës, krahas shpenzimeve të transportit, punonjësit i mbulohen edhe shpenzime të tjera siç janë ushqimi dhe fjetja. Dieta ditore për çdo punonjës është në masën një mijë lekë në ditë kur ai kthehet brenda ditës, por kur qëndron më shumë se një ditë, dieta është sa 10 për qind e pagës mujore me kushtin që të mos kalojë shumën prej 2500 lekë në ditë. Në këtë rast, data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten si ditë e plotë. Për sa i përket fjetjes, institucioni kompenson deri në tre mijë lekë për natë. Për të marrë kompensimin e shpenzimeve të fjetjes, punonjësi duhet të tregohet i kujdesshëm të gjejë një hotel që e ka vendosur pajisjen fiskale në mënyrë që të marrë kuponin tatimor, i cili vërteton shumën e paguar.
Shkurt///////////////////////////////
Energjia, nis punën instalimi i linjës dyfishe për zonën perëndimore
Brenda tre viteve, duke filluar nga rajoni i Durrësit, ai i Kavajës dhe duke u shtrirë në të gjithë pjesën jugore të Shqipërisë, do të ketë një furnizim më të mirë me energji elektrike dhe me më pak humbje në rrjet. Kjo do të bëhet e mundur falë një projekti ambicioz të qeverisë shqiptare, ndërtimit të linjës energjetike dyfishe 220 kilovolt “Tirana2-Rrashbull” dhe një nënstacioni të ri elektrik 220/110 kilovolt në Rrogozhinë. Sokol Ramadani, drejtor i Përgjithshëm i OST-së në METE, pohon se në kuadër të fondit për projektet e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor, konsorciumi i kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin e Komisionit Evropian ka përfunduar studimin e fizibilitetit, bazuar dhe në konsideratat financiare, mjedisore dhe social-ekonomike ku duke përdorur një buxhet prej 500.000 euro ka identifikuar dhe vlerësuar disa nga opsionet teknike. Kostoja e këtij investimi është llogaritur të jetë 15.5 milionë euro. Për zbatimin e projektit në terren qeveria shqiptare do të marrë kredi tregtare. Banka Gjermane për Zhvillim “KfW”, institucioni financiar kryesor i interesuar për ndërtimin e linjës vlerëson këtë investim si tepër të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas ekspertëve të energjetikës, në kushtet kur linja ekzistuese është e ngarkuar maksimalisht dhe humbjet në rrjet janë të mëdha, ndërtimi i linjës dyfishe të transmetimit dhe nënstacionit, janë shumë të rëndësishme për sistemin e transmetimit në Shqipëri.
Qarku i Vorës, strategji të re për zhvillimin e turizmit
Mbrojtja e mjedisit, rrjeti infrastrukturor, trashëgimia kulturore, turizmi, çështjet sociale, prodhimi agro-ushqimor dhe zhvillimi rural, janë prioritet e Këshillit të Qarkut Vlorë i mbështetur nga programi i PNUD-it “ART GOLD 2” dhe Agjencia për Zhvillimin Lokal Ekonomik, “AULEDA”. Projekti i prezantuar te aktorët vendorë synon zhvillimin e Qarkut në kuadër të procesit të Planifikimit Strategjik “Drejt zhvillimit të qëndrueshëm”. Dokumenti u prodhua si rezultat i konsultimeve publike me të gjithë aktorët vendorë. Gjatë takimit që u zhvillua në Këshillin e Qarkut Vlorë, u prezantuan skenarët e mundshëm për zbatimin e kësaj strategjie. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Ylli Piro, ftoi të gjithë aktorët vendor të kontribuojnë në hartimin e këtij plani. Drejtuesi i projektit “Art GOLD 2”, Luigi Cafiero, tha se “ky është plani i qarkut Vlorë, ndaj është domosdoshmëri pjesëmarrja dhe kontributi i aktorëve vendor”. Strategjia synon të orientojë të gjitha iniciativat që do të ndërmerren në të ardhmen për zhvillimin e këtij rajoni në përputhje me standardet Europiane. Draft-strategjia përcakton udhëzime dhe veprime konkrete për t’u ndjekur e zbatuar, të cilat janë përgatitur pas fazës së konsultimeve të gjera që u zhvilluan në nëntor të këtij viti të fokusuara në 4 tematika. Skenarët e kësaj draft-strategjie garantojnë që plani strategjik për zhvillimin e Qarkut Vlorë do të shërbejë si një model për të përgatitur programe të fondeve strukturore, kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Programi “ART GOLD 2” financohet nga qeveria Italiane dhe po ofron asistencë teknike për hartimin e planeve strategjike në dy rajonet Vlorë e Shkodër.
AMC sjell “iPhone 4” për klientët dhe abonentët në Shqipëri
“iPhone 4” është i pajisur me “FaceTime”, që bën realitet ëndrrën e video-telefonatës, dhe me ekranin e ri “Retina” të “Apple”, ekranin me rezolucionin më të madh që ka pasur ndonjëherë një telefon dhe që shfaq tekst, imazhe dhe video super të qarta. “iPhone 4” ka edhe kamera 5 MP, me blic “LED”, video-regjistrim në HD, procesor “A4” të “Apple”, xhiroskop me 3 boshte dhe kohë bisede deri 40% më të gjatë. Ky është smartphone më i hollë në botë, me dizenjon e re të mrekullueshme prej qelqi dhe çeliku që nuk ndryshket. “iPhone 4” ka të instaluar “iOS 4”, variantin e ri të sistemit operativ celular më të përparuar në botë, i cili përfshin mbi 100 funksione. “App Store” revolucionar ofron akses në mbi 200.000 aplikime, përfshirë edhe aplikimin e ri “iMovie”, të përgatitur posaçërisht për “iPhone 4”. “Jemi krenarë që e sjellim të parët zyrtarisht ‘iPhone 4’ në tregun shqiptar. Fillimi i shitjeve të tij vërteton sërish angazhimin tonë për t’u ofruar abonentëve produktet dhe shërbimet më të reja, si dhe aftësinë tonë si pjesë e Grupit “OTE-Deutsche Telekom” për të ofruar produkte e shërbime inovative e për të sjellë afër kujtdo në vend teknologjinë më moderne. Burimet tona njerëzore dhe teknike do të jenë që në fillim në dispozicion të të gjithë të interesuarve për ‘iPhone’”,- u shpreh zoti Dimitris Blatsios, Drejtor Ekzekutiv i AMC-së. Kompania ofron shumë tarifa, të përshtatura për nevojat e çdo abonenti. “iPhone 4” u ofrohet të gjithë abonentëve AMC-ë, të rinj dhe ekzistues. Abonentët AMC-ë me parapagim ose me kontratë mund të zgjedhin një nga planet e posaçme tarifore dhe paketat e internetit për “iPhone”.
17 Dhjetor 2010