E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet në pritë Halit Dedja, dyshime për hakmarrje



TIRANË – Një vrasje tjetër ndodh në kryeqytet, ku kësaj radhe viktimë është pronari i një kompanie sigurimi objektesh. Viktima është shtetasi Donald Dedja, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë. Nga të dhënat e para policore dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje. 45-vjeçari Dedja u gjend i pajetë pranë mjetin e tij BMW X6. Ai është qëlluar me një armë zjarri me silenciator para hyrjes së pallatit të tij, në zonën e ish-uzinës “Enver” në kryeqytet. Krimi është bërë në rrethana të tilla ku autorët e kanë planifikuar pritën që të mos shiheshin nga banorët e zonës. Ndonëse policia bën të ditur se emri i të ekzekutuarit është Donald, ai njihet me emrin Halit Dedja dhe ka pasur një të kaluar problematike jo vetëm në Burrel, por edhe jashtë vendit gjatë kohës së emigrimit.

Ngjarja
Një person, emër i njohur nga drejtësia, është qëlluar për vdekje me armë zjarri dje paradite në Tiranë, te vendi i quajtur ish-uzina “Enver”. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30, kur persona të panjohur kanë qëlluar me armë ndaj shtetasit Donald Dedja, i moshës rreth 45 vjeç, pranë hyrjes së një pallati. Shtetasi është gjetur i pajetë nga banorë të pallatit, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë. Dyshohet për një ekzekutim të pastër, pasi plumbi ka dalë nga një pistoletë me silenciator. Mësohet se Dedja është pronar i një firme policie private, ish-efektiv policie i Ndërhyrjes së Shpejtë dhe kohët e fundit drejtonte një shoqëri private. Pranë trupit të viktimës janë gjetur një shotgun dhe një pistoletë, që dyshohet se viktima i kishte me vete.

Historia
Sipas burimeve zyrtare të policisë, ish-oficeri i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë njihej si një person me të kaluar problematike. Madje, për shumë vite është cilësuar si kapoja i Burrelit. Dedja ka pasur hasmëri, pasi në familjen e tij janë vrarë dy vëllezër. Banda e njohur me emrin “Dedja” në qytetin e Burrelit është krijuar përpara vitit 1997. Në krye ishin tre vëllezërit Dedja. Vëllai i dytë i tyre, Haliti (Donaldi), i vetmi i mbijetuar nga seriali i gjatë i vrasjeve të ndërsjella me bandën “Kola”, ishte koka e grupit. Këta djem njiheshin si të fortët e Burrelit dhe me shumë para. Anëtarët e bandës kanë qenë pjesë e Sigurimit. Policia bën të ditur se viktima ka pasur precedentë penalë të mëparshëm. Konkretisht, në vitin 1997 është akuzuar se ka marrë pjesë në disa krime të organizuara nga grupe personash në zonën e Burrelit. Policia ka njoftuar se vëllezërit e viktimës Halit Dedja janë vrarë më parë. Viktima e atentatit të djeshëm ishte i vetmi i mbijetuar nga vëllezërit e tij, që së bashku me ish-oficerin, janë akuzuar për disa krime në Burrel në vitin 1997 e më pas. Dedja kishte kohë që drejtonte një shoqëri sigurimi policie private në Burrel dhe jetonte në Tiranë, pikërisht te pallati ku u gjend i vrarë. Familja e viktimës jeton në Burrel.

Pistat
Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës flasin për një vrasje që ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Kjo pistë është ngritur duke marrë në konsideratë edhe të kaluarën problematike të Donald Dedjes. Burime nga policia shprehen se vrasja mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Hetimet e policisë dhe të grupit të prokurorëve do të zbardhin shkaqet e këtij krimi. Gjatë vitit 2010 ka një rritje të veprave penale, përfshirë edhe krimin kundër personit. Një gjë e tillë doli edhe në analizat e strukturave të rendit të kryeqytetit dhe të Policisë së Shtetit. Kjo u bë shkas që kryeministri të fshikullojë strukturat antikrim për rritjen e krimit në familje, vjedhjet, trafikun e drogës dhe numrin e lartë të aksidenteve. Sipas statistikave, shqetësim mbetet ulja e zbulueshmërisë së veprave penale.

Kapet banda e grabitjes së banesave në periferi të kryeqytetit

TIRANË – Një grup personash, autorë grabitjesh në fshatin Ndroq të Tiranës, kanë rënë në pranga. Burime zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës ndaluan shtetasit Marin Alhysa, Armand Curri dhe Leonad Rozi, që të gjithë të rinj në moshë dhe banorë në vendin ku kanë kryer grabitjen. Ndërkohë, u shpall në kërkim edhe bashkëfshatari i tyre, Ilirjan Dedja, 20 vjeç. “Arrestimi i tyre u krye sepse gjatë natës dyshohet se, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë grabitur banesën në pronësi të një shtetasi banues në Ndroq, ku kanë vjedhur disa sende elektroshtëpiake”, - thonë burimet policore. Sipas tyre, pas një pune hetimore të kryer, rezultoi se këta shtetas janë autorë të vjedhjes së një tjetër banese, ngjarje kjo e ndodhur po në Ndroq të Tiranës.
Numri i vjedhjeve në Tiranë është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe zbulueshmëria e autorëve është tejet e ulët, rreth 40 për qind. Pjesa më e madhe e grabitjeve ndodhin nga persona që banojnë në periferi të kryeqytetit dhe ata janë të rinj në moshë.

AUTORËT E GRABITJES

Marin Alhysa, 18 vjeç, banues në Ndroq
Armand Çurri, 19 vjeç, banues në Ndroq
Leonard Rozi, 19 vjeç, banues në Ndroq
Ilirjan Dedja, 20 vjeç, banues në Ndroq, në kërkim

17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›