(Sh)përdorja ndaj mediave opozitare
MBYLLJA E A1 TELEVIZION
Djali im pesë vjeçar i njeh mirë numrat e renditjes së kanaleve televizive, të regjistruara në televizionin e shtëpisë. Më ankohet dje se ka humbur numri 7. Televizionin A1 e kam të regjistruar në këtë numër. Kjo gjë, më nxiti të kujtoja boshllëkun e krijuar menjëherë nga mungesa e disa rubrikave që ndiqja vazhdimisht në këtë televizion. E bashkë me këtë, të kujtoja agoninë e kësaj shoqërie kur bëhet fjalë për të reaguar ndaj kërcënimit të vlerave të krijuara, qofshin ato kulturore, historike apo mediatike.
Dikur një ish-ministër, jo pak i rëndësishëm për nga posti, pati pështyrë një gazetar, me pretekstin se ky i fundit kishte bërë një koment tendencioz në një TV. Reagimi i gazetarëve qe i menjëhershëm, i organizuar dhe efektprurës. Ministri u detyrua të jepte dorëheqjen. Ishte një moment kur pata menduar se reagimi i njerëzve të medias (por dhe i opinionit publik), ndaj skandaleve kërcënuese, po shkonte në drejtimin e duhur. Prej disa javësh KESH-i, një shoqëri aksionere, që operon me fonde publike, i ka ndërprerë në mënyrë të paarsyetuar energjinë TV-A1, duke privuar shikuesit e këtij kanali televiziv dhe duke nxjerrë në rrugë dhjetëra gazetarë dhe teknikë. Ajo që ja vlen të përmendet në këtë rast është mosreagimi në mënyrë të organizuar as i shoqatave të medias, as i pjesës tjetër të medias vizive dhe të shkruar.
Objekti i këtij shkrimi nuk është të shpjegojë konfliktin mesTV A1 dhe Korporatës, sepse në thelb është një konflikt i krijuar artificialisht (mjafton të përmendet fakti që çështja për pagesën është në gjykatë, argumentet janë të tepërta).
Para 10 vitesh protagonistët e kësaj qeverisjeje, pasi kishin rrahur e izoluar disa gazetarë, arriti puna deri aty sa u dogj në themel gazeta më opozitare e asaj kohe. Por të mos shkojmë larg. Vetëm para pak javësh qeveria, personalisht kryeministri, përdori policinë financiare për t'i mbyllur gojën një operatori televiziv kritik ndaj saj. Dhe rezultati? Kompromisi. Askush nuk e mori vesh se çfarë ndodhi dhe si pushoi lufta mes tyre. Gjithsesi pushoi. Pra problemi nuk është aq i thjeshtë sa duket. Nuk është teknik. Tani, shfaqet ky problem me një tjetër redaksi opozitare ndaj qeverisjes. Institucioni që (sh)përdoret këtë herë nuk është më Policia Tatimore, por KESH-i. Justifikimi? "KESH-i e paska faturuar gabim energjinë e harxhuar dikur" (!). Me këtë "logjikë", mund të mbyllen të gjitha kanalet televizive, madje edhe institucionet erëndësishme të shtetit! Por KESH-i vetë nuk është një institucion steril që mund të përdoret deri edhe për të mbyllur media. Një institucion i akuzuar për korrupsion në përmasa të mëdha, për mashtrim ndaj qytetarëve, për dëme të pallogaritshme në makineritë shtëpiake të qytetarëve shqiptarë, për vjedhje dhe shpërdorime në kompromis me ata që nuk paguajnë faturat, etj., nuk mund të përdoret në këtë lloj lufte. Është keqpërdorimi më i madh, më banal.
Është e turpshme që Shqipëria të krahasohet këtu më vende si Venezula, Bjellorusia, Vietnami etj., ku sistemet janë totalitare ose gjysmëtotalitare. Akoma më e turpshme kur këto gjëra bëhen "në emër të ligjit". Shoqatat e gazetarëve, nëse ekzistojnë ndokund, duhet të reagojnë. Shoqatat e tjera po ashtu.