Gratë shkruajnë
Revista
Sapo doli në qarkullim numri i parë i revistës kulturore-informative "Penda e gruas" për vitin 2008. Gra në karrierë, portrete, intervista, debate mbi gjuhën, letërsinë, artet pamore. Pas një editoriali nga gazetarja Briseida Mema mbi bukurinë femërore, jo atë të vërtetën, siç thotë Mema me një rrudhë të thellë mendimi mbi ballë, por atë të kopertinave, që jo rrallë herë rezulton të jetë kallpe, vijon një diskutim mbi gjuhën. Atë të përdorur në median e shkruar dhe televizive. Jo pa të drejtë autorja Dalina Jashari vë në dukje disa fenomene, të cilat rreken të zënë vend në gjuhën e përditshme. Përveç fjalëve të huaja, që kanë hyrë bashkë me koncepte të reja, përdoren gjerësisht në mënyrë të panevojshme, fjalë të huaja që i kanë sinonimet në shqip. Për të mos folur për fenomenin e moslakimit të emrit si në gjuhët e huaja, bjerrja e disa mbaresave, etj. Në rubrikën "Autore-Portrete" flitet për figura të tilla si Katia Kouzmova-Zografova, Mary Wollstonecraft, Suzanne Lilar, Zhan Ailing, etj. Këtij numri nuk i mungon as kritika nga Meri Lalaj, tendenca nga Suzana Varvarica Kuka, biblioteka e Arta Markut, etj.