Çmim special për personazhet e Çajupit
Festivali
Personazhet e Çajupit nuk mund të kalonin pa u vënë re. Tana, Zeneli, zonjëza Llullushe, Vurkoja, Gjinoja e Marigoja, i kanë lënë një shije të mirë publikut kosovar. Mbrëmjen e së mërkurës u mbyll Festivali i Dramës Shqipe në Gjilan, "Talia e Flakës", që zhvillohet në kuadrin e manifestimit kulturor "Flaka e janarit 2008".Shfaqja "Kujtime nga Çajupi" me regji të Sonila Ulqinakut, projekt i "Atelier 31" u vlerësua me Çmimin Special. Gjithashtu mësohet që dy aktorët kryesorë të këtij projekti, një gërshetim i komedive të Çajupit "14 vjeç dhëndër" dhe "Pas vdekjes", u nominuan për çmimin e roleve më të realizuara. Bëhet fjalë për aktorët e rinj Oriana Cama, në rolin e vjerrës së grindur, Tanës dhe Valdrin Asani në rolin e Zenelit. "Kujtime nga Çajupi" u shfaq në datat 22 dhe 23 dhjetor në skenën e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Përgjatë dy netëve u shfaq e njëjta vepër, por e interpretuar nga aktorë të ndryshëm, duke ofruar kështu dy performanca të ndryshme.
Festivali i dramës në Gjilan u mbyll mbrëmjen e së mërkurës me shfaqjen "Nirvana", të trupës së Teatrit Kombëtar nga Prishtina. Pas shfaqjes u shpallën edhe çmimet e festivalit. Shfaqja më e mirë e këtij edicioni u shpall vepra "Im atë donte Adolfin", e Teatrit Profesionist të Prizrenit, duke marrë kështu trofeun e festivalit.
Në këtë edicion mori pjesë edhe Teatri "Petro Marko" i Vlorës me dramën e Teodor Laços "Vrasësit i lamë pas", me regji të Roland Mingës.