E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërfillja dhe jo serioziteti i PD-së dhe Berishës

Zef Bushati/kryetar i Aleancës Demokristiane 

-Partia Aleanca Demokristiane ka qenë firmëtare e dokumentit që vendosi të formojë koalicionin e gjerë “Aleanca për Qytetarin” për të konkurruar së bashku me PD-në në Zgjedhjet Vendore të 8 Majit 2011. Mbas përfundimit të zgjedhjeve vendore për Aleancën Demokristiane ky koalicion e kreu funksionin e tij dhe përfundoi. ADK me zbardhjen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja rezultoi si një parti që u rendit me një rezultat mjaft pozitiv, duke marrë parasysh faktin se me vendim nr. 1360 të datës 25 shkurt 2011 u regjistrua si subjekt ADK nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pra vetëm 2 muaj e 10 ditë nga data e zgjedhjeve lokale. Për të qenë korrekt me PD-në, me partinë më të madhe të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Kryesia e ADK-së i është drejtuar zyrtarisht me anë të një letre që mban datën 3 Qershor 2011 dhe meqenëse nuk morëm asnjë përgjigje iu drejtuam përsëri me një tjetër letër që mban datën 9 Janar 2012, me anë të së cilës i kërkuam Kryetarit të PD-së z. Sali Berisha që të nënshkruajmë një Marrëveshje Bashkëpunimi e cila të përfshijë jo vetëm bashkëqeverisjen deri në vitin 2013, por edhe pjesëmarrjen në kuadër të një koalicioni për zgjedhjet e ardhshme Parlamentare. Në këto letra i kujtuam kreut të PD-së që ADK-ja ka marrë në Qarkun e Tiranës 1154 vota dhe për këtë arsye i jemi drejtuar me anë të një letre z. Lulzim Basha për të sistemuar në një detyrë në Bashki një përfaqësues të ADK-së. Fatkeqësisht z. Lulzim Basha nuk ktheu asnjë përgjigje qoftë edhe negative. Po kështu ju drejtuam edhe për Qarkun Shkodër ku morëm 1608 vota, Qarkun Lezhë 1911 vota, Qarkun Korçë 732 vota, Qarkun Kukës 647 vota etj.. Letra e dytë u firmos nga të gjithë anëtarët e Kryesisë së ADK-së,në përbërje të së cilës janë intelektualë të lartë dhe me grada shkencore. Me keqardhje pohoj se nga ana e kreut të PD-së nuk na erdhi asnjë përgjigje. Po të njëjtin qëndrim indiferent, injorues e deri fyes, mbajti znj. Jozefina Topalli kur Këshilli Kombëtar i Partisë Aleanca Demokristiane e propozoi si kandidaturë për Presidente të Republikës. Në emër të Partisë Aleanca Demokristiane, deklaroj se askush nuk mund ta përdorë subjektin tonë politik për interesat  personale për pushtet. Aleanca Demokristiane mbetet e hapur për dialog institucional me këdo subjekt politik për të gjetur çdo formë të një bashkëpunimi me interes reciprok. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›