E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtimet e një zyrtari të lartë amerikan - kur ra komunizmi në Shqipëri

27-01-2013 / Nga Beqir Sina

Vizita e parë e amerikanëve në Shqipëri, në shoqërinë e Nënë Terezës
 
"Kam pasur privilegjin të shërbejnë si administrator asistent i Byrosë së Evropës, kur ra Muri i Berlinit në vitin 1989”, thotë në kujtimet tij zoti Carol C. Adelman një ish oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit. Sepse, thekson ai: "Shërbeva në kohën e rilindjes së vendeve ish-komuniste, kur ato nisën të bëheshin ashtu si kombet të lira, vendet e Europës Qendrore dhe të bëheshin edhe ato të Europës Lindore (EQL), të cilat, në atë periudhë ndryshimesh ishin në rrugën e përfituesve të ndihmës së shumtë nga Perëndimi dhe veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara". Republika Çeke, kujton ai, ishte e para që bëri thirrje për ndihmë, por jo tregtare, por ndihmë politike. Po ashtu edhe Polonia ishte e shtyrë nga SHBA, për të lëvizur më shpejt në ndihmën e privatizimit, si dhe bizneset e vogla, ashtu si Hungaria që ishte e gatshme në të gjithë vendin, për ndryshime ku sipërmarrësit vjedhurazi i kishin fshehur ish-pasuritë e tyre, gjatë viteve të komunizmit. Sipas zotit Adelman, një nga zyrtarët më të lartë amerikanë që është marrë me ndihmën ndaj vendeve që po kalonin rënien e komunizmit, si dhe ndërrimin e sistemeve pas rënies së Murit të Berlinit: "Ne (SHBA) ishim në gjendje për të ndihmuar këto vende sa më shpejt dhe me efikasitet për shkak të legjislacionit të ri, që vendosën menjëherë këto vende, për të tërhequr ndihma nga Perëndimi".
Kështu Mbështetja për Demokracinë Europiane Lindore, në SHBA, kaloi nëpërmjet një akti ligjor që u quajt, Akti i 1990-s, i cili na lejonte për të shkruar vetë, sipas sistemit tonë të strukturuar të prokurimit; dhe na dha mundësinë për të punuar me lehtësi me  institucione private. Për të ndarë edhe një shumë të madhe parash për të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke eliminuar kështu sipas vendeve edhe atë çka ato e  përcaktonin si funksionale dhe duke na lejuar ne, për të shpërndarë paratë bazuar në performancë dhe sa më drejt". Mirëpo, thotë Carol C. Adelman, një ish-oficer i Shërbimit të Jashtëm për 12 vjet, në Departamentin e Shtetit, në një shkrim të tij, "Kujtesa ime e artë e këtyre viteve është nga Shqipëria, një vend i vogël prej më pak se 3 milion njerëzish, që kishin qenë të sunduar nga diktatori i egër stalinist më i fundit në kampin socialist, Enver Hoxha. Kur unë dhe Ekipi i parë i USAID-it kemi shkuar atje, në vitin 1991, shqiptarëve nisën t’u "hapeshin sytë", se si të shkonin drejt hapjes së tregut të lirë e privat. Ne e përqendruam ndihmën tonë duke ndihmuar në radhë të parë spitalet, që ishin në gjendje të mjerueshme. Për shpërndarjen e ndihmave na duheshin automjetet. Atje gjetëm vetëm 200 makina në të gjithë vendin, dhe një infrastrukturë të rrënuar totalisht. Në Tiranë, edhe një hotel që mburreshin komunistët, në kryeqytetin e Shqipërisë, dhe që e ofron për mysafirët e huaj - nuk kishte as ujë të nxehtë, as drita e as ushqim. Gjetëm burgjet përplot me të burgosur politikë, të internuarit në kampe që ankoheshin ende në radhët e bukës ose edhe e linin "bukë dhe ujë" vetëm për të dëgjuar "Zërin e Amerikës", së bashku me fëmijët e tyre, të cilët thoshin si kishte qenë i vetmi ushqim për tre ose katër dekada që i kishte mbajtur gjallë".
Në kujtimet e tij, zoti Adelman thotë se ka parë me sytë e tij vizitën historike të ish-Sekretarit të Shtetit James Baker në Tiranë. "Kur James Baker - Sekretar i Shtetit, në atë kohë shkoi për të vizituar Shqipërinë, ai arriti në Tiranë, në verën e vitit 1991. Më shumë se 500 mijë shqiptarë brohorisnin si të "çmendur" USA-USA- Baker! Baker!". Dhe shton: Ne amerikanëve na bëri shumë përshtypje, se si në "në një vend që kishte qenë i shtypur plotësisht për një gjysmë shekulli, ku Shtetet e Bashkuara ishin "demonizuar" nga propaganda komuniste tek njerëzit në Shqipëri, si mishërim i djallit, "armiqtë” më të rrezikshëm të Shqipërisë socialiste, ai (James Baker - Sekretar i Shtetit, në atë kohë) u prit si një hero". Unë, thotë ai, u befasova kur pashë me sytë e mi se si 40 për qind e shqiptarëve flisnin një gjuhë të huaj - përfshirë edhe anglisht, dhe se një emër popullor për fëmijët ishte edhe emri Wilson, mbasi kuptova se nuk harrohej ajo çfarë ka bërë për Shqipërinë presidenti i SHBA Woodrow Wilson. Pra, edhe më skeptikët e dëshirës së lindur të njerëzimit për liri dhe demokraci, e kishin kuptuar mesazhin që po përcillte SHBA në Shqipëri". Kur ish-presidenti i parë demokrat i sapozgjedhur, Prof.Dr. Sali Berisha, u pyet nga zyrtarët e lartë amerikanë, se si SHBA mund të ndihmojnë më mirë, Shqipërinë në ato momente, ai u përgjigj: "Ne kemi një zemër demokratike dhe një mendje demokratike që janë të mbërthyer në një trup bolshevik për gati gjysmë shekulli, por që sytë i kemi pasur gjithmonë nga Perëndimi dhe SHBA".
Nënë Tereza: "Merrini shqiptarët në punë - Merrini ata në punë/Ajo që unë kujtoj me dashuri nga Shqipëria e viteve 1991, është takimi me ikonën shqiptare Nënë Tereza. Ishte rasti i parë për t’u takuar me një njeri të shenjtë që kishte shkuar në Shqipëri, për të ndihmuar fëmijët. Ajo kishte hapur një shtëpi bamirësie në Tiranë, me infermieret dhe kujdestarët e Shoqatës "Nëna Tereze". Unë për herë të parë eca përkrah Nënë Terezës dhe Zëvendës Sekretarit amerikan të Thesarit John Robson, ndërkohë që Nëna Tereze me "dukej se kurrë nuk ndalej në lëvizjet e saj", ajo në tokën e prindërve të saj me "dukej se ishte shumë më e gjallë kur vinte puna për të ndihmuar njerëzit e gjakut të saj". Nuk më harrohet kurrë, thotë, ai, se ndërsa ishim duke ecur me Nënë Terezën, në pistën e aeroportit të Tiranës, e pyeta: "Çfarë mund të bëjmë ne Amerikanët për të ndihmuar shqiptarët tash për tash?" Ajo qëndroi dhe mu kthye dhe me shikim nga lart (nga qielli - Zoti), më pa drejt në sy, duke m’u përgjigjur me plot zemër: "Merrini shqiptarët në punë - Merrini ata në punë. Shqiptarët janë të zotët e punës - dhe duke punuar, ata e dinë të ndihmojnë vetveten". Mungesa e ushqimit në Shqipëri kishte arritur nivele të krizës së urisë, në atë kohë. Në përgjigje të kësaj gjendjeje, ushtria amerikane filloi nga shpërndarja në ushqime - gjysmëgati për të ngrënë - sipas një plani qeveritar të USAID.  Aeroplani i parë amerikan i ngarkuar me “Meals Ready to Eat (MREs)”, në Shqipëri, u ul në pistën me "gunga", bar dhe me fshatarë që kullosnin aty delet, dhitë dhe lopët. Kur aeroplani ndaloi në fund të pistës dhe piloti dhe ekuipazhi me komandën ushtarake doli nga kabina, shqiptarët brohoritën USA - USA dhe nxituan drejt aeroplanit. Ata ngelen të habitur sidomos kur për herë të parë panë një aeroplan amerikan dhe për herë të parë panë se piloti ishte një 20-vjeçar. Nënë Tereza u ndal dhe të gjithë njerëzi u rreshtuan pas saj - përfshirë, pilotin, ekuipazhin dhe komandën ushtarake, Zëvendës Sekretari amerikan i Thesarit John Robson dhe unë me zyrtarët e tjerë pas saj. "Kur Nënë Tereza nisi e kreu bekimin e saj - duke filluar me shpërndarjen tespihe dhe lutjen tek Jezusi duke bërë kryq". Ajo hipi nëpërmjet shkallëve në aeroplan, u ngjit mbi ndihmat duke qëndruar mbi to dhe nisi përsëri "duke mbajtur duart lart e ne dëgjuam lutjet e saj, teksa ajo mbylli sytë dhe i bekoi ndihma për popullin shqiptar".

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›