E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia e paçliruar

27-01-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Kosova dhe Serbia, në të njëjtën kohë e veçmas prej  njëra - tjetrës, iu nënshtruan proceseve të mëdha, që ndodhën për shkak të akumulimeve shekullore. Kur Kosova e pushtuar u çlirua me luftë, Serbia e pavarur ishte shtet i kahershëm. Kur Kosova u pavarësua vonë, Serbia mbeti e paçliruara e vjetër.  Kosova  u  çlirua nga sakrificat e saj dhe fuqia e NATO-s dhe, po ashtu u pavarësua, nga e drejta e vet dhe mbështetja ndërkombëtare. Duket si paradoks historik, por pavarësimi i Kosovës dhe njohja botërisht e saj, e ktheu çlirimin e Serbisë në domosdoshmëri të politikës serbe. Kjo është një ndihmë që iu dha vendit fqinj, për të kapur mundësinë që, energjitë e saj, tani e tutje, Serbia t’i shpenzojë për demokratizim e zhvillim të brendshëm. Për Serbinë, kjo nuk është e lehtë të  kryhet, siç nuk qe e lehtë edhe për Kosovën të pavarësohej.
Çlirim i Serbisë quhet dhënia fund e mendësisë kolonizuese. Kjo që po i ngjan asaj, u ka ndodhur edhe disa vendeve europiane në të shkuarën, por që, sot, përveç të çliruara nga mendësia pushtuese, ato janë shndërruar në fuqi të mëdha të lirisë dhe demokracisë në Bashkimin Europian. Serbia, ashtu siç qe shpirti demon i luftërave të përgjakshme, i ka potencialet e duhura të shndërrohet në faktor paqe, të një shpejtësie të re në proceset integruese të Europës Juglindore.
Çlirim i Serbisë quhet ikja e saj nga mitet e hershme dhe rrokja, pa u vonuar më, e realiteteve të tashme. Këmbëngulja absurde, kushtetuese dhe retorike,  për rifutje të Kosovës brenda territoreve të saj, zhbëhet me aritmetikë të thjeshtë.
Ajo nuk mund t’i qeverisë shqiptarët, për disa arsye:
Dy milionë shqiptarë janë shumë, ndërsa vetë Serbia është shtet i vogël ballkanik, pak më i madh se Kosova. 
Serbia nuk ka të drejta mbi popullin tjetër, që dikur e pati pushtuar me forca ushtarake, e mbajti nën pushtim me dhunë dhe historinë e saj kolonialiste e përmbylli me barbarizëm të paparë, në fund të shekullit të kaluar.
Serbia i masakroi shqiptarët si popull armik.
Shqiptarët janë të përcaktuar në mënyrë të prerë që në krye të herës - kurrë më në një shtet me Serbinë.
Çlirimi gjeografik i Serbisë ka ndodhur. Toka e Kosovës i është rikthyer popullit të vet dhe ai qeveriset nga qeveri të zgjedhura prej tij. Ato territore i përkasin shtetit më të ri në botë, fqinj me Serbinë, e cila, kohën e gjatë të pushtimit, e përdori për të ngulur, në Kosovë, një pakicë serbe e për të lënë gjurmë pushtimi, duhet theksuar - vetëm e  vetëm me ndërtim kishash e manastiresh. Është thënë, gjithmonë, që, serbët vërtetë ngritën objekte kulti në Kosovë, por moscenimi dhe mbijetesa e tyre deri më sot, është meritë e shqiptarëve. Kjo kulturë sjelljeje, nuk çmohet e vlerësohet prej Beogradit, për më keq ajo shpërfillet, provokohet dhe është shpërblyer me masakër mbi popullin dhe pasurinë e tij. Europa u bë dëshmitare e sulmit të egër, në vendet balltike, të popujve të qytetëruar e anëtarë të BE, mbi simbolet pushtuese të Bashkimit Sovjetik, atje. Ai është një kumt domethënës edhe për Serbinë: çlirimi gjeografik ndihmoi për të ndërtuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me shqiptarët, të cilët kanë dhënë prova të pazakonta se e kanë respektuar trashgiminë kulturore serbe. Kurse Serbisë i mbetet që, pas barbarisë, të ndryshojë sjellje, të ndërtojë fqinjësi normale dhe, të mos vonojë për të njohur shtetin e pavarur të Kosovës, i ngritur nën hisen e vet të diellit.
Çlirimi i Serbisë nuk kryhet me armë, si ai për Kosovën, sepse brenda saj nuk ka ndonjë shtet pushtues. Por, duhet të ndodhë çlirimi i vetvetes nga e keqja. Nacionalizmi më agresiv i sotëm në  Siujdhesë, bën luftë të brendshme politike në Serbi dhe kërcënon vende të tjera. Gjithësesi, kjo ka mbetur brenda një beteje me mjete demokratike. Nuk është  as luftë e nxehtë, as luftë civile. Zbutja e nacionalizmit serb, ashtu si gjithë nacionalizmat e tjerë pranë tij, kalon po atë proces të durueshem, që i nënshtrohet bisha, për t’u sjellë paqësore, nën çadrën e shoqërive demokratike europiane.
Çlirimi i Serbisë do të jetë i plotë, kur atje të rrënjoset tjetër pikëpamje mbi fqinjtë, aleatët dhe armiqtë. Shqiptarët nuk e cilësojnë Serbinë shtet armik, por i  thërrasin të sillet si një fqinj natyror në veri të tyre. Serbia sillet ndaj shqiptarëve si kundër popullit armik, sa që u përpoq ta zhbijë nga trojet dhe shtëpitë e veta. Sa më parë të rrëzohet kjo mendësi, aq më shpejt ngrihet paqja, së brendshmi me vetveten, së jashtmi me fqinjin jugor. Paqa e qendrueshme varet nga Serbia, sepse Kosova e ka shpallur atë, ka dhënë siguritë se nuk ka qëllim tjetër, përveç të gëzojë lirinë, të zhvillojë demokracinë, të begatojë jetën, të forcojë miqësinë me fqinjët, përfshirë Serbinë, dhe të përshpejtojë proceset për futjen në NATO dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjysma është gjysmë, po të mos i bashkohet asaj gjysma tjetër, nuk bëhet e tërë, domethënë, mbetet e paplotë. Perëndimi demokratik, i gjendet Serbisë mjaftë pranë, që, ashtu siç e mbështeti Kosovën, për t’ia bashkuar të dy gjysmat - Çlirimin dhe Pavarësinë - , edhe Serbinë po e ndihmon, në të njëjtën mënyrë që, Pavarësisë së saj t’i bashkohet edhe Çlirimi. Kjo ndarje në dy gjysma, pavarësisht se ndryshe përjetohet nga shqiptarët e ndryshe nga serbët, që të dy popujt i  janë nënshtruar një procesi të jashtëzakonshëm, me armë, politikë e diplomaci të pamatë. Aq dendur e fort, sa u fol e flitet, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, po aq meriton të flitet për Serbinë, shtet i pavarur, por ende i paçliruar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›