E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërndahet parlamenti grek, zgjedhjet më 17 qershor

Mëngjesin e sotëm është publikuar dekreti presidencial që shpërndan parlamentin e zgjedhur në votimet e 6 Majit dhe shpall zgjedhjet e reja, më 17 qershor 2012.

Që sot fillon zyrtarisht fushata elektorale e partive politike greke. Kjo do të jetë një fushatë e ethshme. Partitë e njohura si forca "antimemorandum", të cilët premtojnë qëndrim në euro, njëherësh do të rreken të bindin qytetarët se është shansi i tyre historik për t`iu thënë “jo” përfundimisht masave të ashpra të kursimit, ndërsa partitë DRe dhe PASOK vazhdojnë të këmbëngulin se ky lloj votimi është fatal për vendin, i cili do të gjendet jashtë euros dhe i shkatërruar.

Shpresa e vetme është që në 17 qershor pjesëmarrja në votime të jetë më e lartë për të bërë një diferencë të qartë dhe që zgjedhësit të vendosin për kë do të votojnë pasi të kenë kuptuar të vërtetën e hidhur, se qëndrimi në euro dhe politika e kursimeve, janë dy anët e së njëjtës medalje.

Çdo ditë ka raporte se evropianët po marrin në konsideratë skenare të mundshme për dalje të Greqisë nga eurozona, ndaj sytë dhe vëmendja janë kthyer drejt Athinës dhe rezultatit të zgjedhjeve që do të dalë mbrëmjen e 17 qershorit.

Një sondazh i ri i kryer nga kompania RASH dhe i publikuar sot në gazetën Metro, nxjerr sërish në vend të parë koalicionin e së majtës radikale SYRIZA me një diferencë prej 1.5% me Demokracinë e re.

Kështu SYRIZA ka marrë 21.7%, e ndjekur nga Demokracia e Re me 20.2% dhe 11.7% me PASOK.

Në sondazh, duket një rënie e partisë Grekët e pavarur në 7.35%, Partia Komuniste me 5.55% dhe Agim i Artë me 3.7% sërish bëhet forcë parlamentare.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›