E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët zgjedhin Presidentin, të dielën zgjedhjet

Të dielën më 20 maj, qytetarët serbë do të zgjedhin në raundin e dytë të votimeve, të preferuarin e tyre për postin e presidentit të Serbisë. Partia Demokratike (DS) e presidentit në largim Boris Tadiç njoftoi se raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Serbi, ku më 20 maj do të garojnë Tadiç dhe nacionalistit populist, Tomislav Nikoliç, përbën një referendum për Bashkimin Evropian. Partia e Tadiçit shton se rivali i tij politik, Tomislav Nikoliç, ka braktisur rrugën evropiane me nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Serbisë (DSS) të ish-kryeministrit VojsllavKoshtunica, i cili është vendosmërisht kundër anëtarësimit të Serbisë në BE.

Katër ditë para raundit të balotazhit presidencial, Nikoliçi fitoi mbështetjen e Partisë Demokratike të Serbisë ``DSS``, që është partizane e ndërprerjes së negociatave për anëtarësim në BE. Tadiçi rezulton favorit në zgjedhjet presidenciale në një sondazh të fundit, ku ai supozohet të arrijë një mbështetje prej 58 për qind të votave. Nërkaq edhe pse vlerësohet të jetë i rëndësishëm për politikat e ardhshme në Beograd dhe Bruksel, rezultatit i garës ndërmjet liderit të Partisë Demokratike, Boris Tadiç, dhe atij të Partisë Progresive, Tomisllav Nikoliç, nuk ka zgjuar dhe aq kureshtjen e Prishtinës e cila duket se është shumë e interesuar për përbërjen e re të qeverisë serbe, shkruajnë mediat kosovare.
 

Përfaqësues të ekzekutivit kosovar më herët janë shprehur në mbështetje të një qeverie pro-europiane në Serbi, por thanë se procesi integrues i vendit nuk varet nga pushteti serb.
 

Anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet synim i përbashkët për të dyja vendet, por dallimet dalin në pah kur bëhet fjalë për mënyrat e realizimit të këtij synimi. Drejtori i Forumit për marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, tha se kushdo që të jetë në krye të qeverisë së re nuk do ta ketë mbështetjen e shumicës për të ndryshuar politikën ndaj Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›