E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shpërndanin kokainë në lokalet e Durrësit, lihen në burg 7 të rinjtë e famshëm të Tik-Tok

Gjykata e Durrësit la në burg këtë të hënë shtatë të rinjtë, të cilët dy ditë më parë u arrestuan, pasi shpërndanin lëndë narkotike kokainë në lokalet e Durrësit. Policia ndërhyri me dy operacione, pasi ata ishin pjesë e dy grupeve kriminale. Të rinjtë ishin të famshëm edhe në rrjetin social “Tik Tok“, aty ku reklamonin jetën e tyre.

Gjykata e Durrësit la në burg 7 nga 8 të arrestuarit gjatë 2 operacione policore antidrogë.

Ndërkohë për 24-vjeçaren Kristel Balla gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Bëhet me dije se, janë lënë në burg shtetasit: Goni Muça (alias Gentjan Lici, Gentjan Muça, Gentjan Ferra), Tani Muça, 17- vjeçari me iniciale A. V., Amonali Halili, Ergi Curri, Gentian Konesha dhe Stivens Bulku.

8 të rinjtë u arrestuan 2 ditë më parë, pas një hetim 6 mujor për veprimtarinë e shpërndarjes së drogave të forta, në zonën e Sukthit dhe në qytetin e Durrësit.

Si rezultat i këtyre operacioneve, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë; 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë; 3 automjete, 2 prej tyre luksoze; 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund; 3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.

Gazetare: Flutura Tota

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›