Rrjedhja e informacioneve për luftën në Ukrainë, Shtëpia e Bardhë: Biden ka komunikuar me aleatët

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas rrjedhjes së informacioneve për luftën në Ukrainë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti Joe Biden po qëndron i informuar mbi dokumentet shumë të klasifikuara të Pentagonit të zbuluara javët e fundit.
“Presidenti është informuar, ai u informua për herë të parë në fund të javës së kaluar kur të gjithë morëm lajmin se kishte disa dokumente atje. Ai ka qëndruar i informuar dhe në kontakt me zyrtarët e sigurisë kombëtare gjatë gjithë fundjavës”, është shprehur koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Komunikimet Strategjike John Kirby në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë të hënën pasdite.
Kirby tha se Departamenti i Mbrojtjes ia kishte referuar çështjen Departamentit të Drejtësisë për hetim penal dhe u drejtoi pyetje kur u pyet nëse qeveria ka ndonjë ide se kush i ka nxjerrë dokumentet.
“Unë nuk jam i vetëdijshëm se ata kanë arritur në ndonjë përfundim në këtë pikë se nga kanë rrjedhur informacionet” tha Kirby, transmeton CNN.
I pyetur nëse administrata besonte se rrjedhja ishte e përmbajtur ose nëse ekziston një kërcënim i vazhdueshëm, Kirby u përgjigj: “Nuk e dimë”
Në përgjigje të pyetjeve nëse Biden ka kontaktuar aleatët e huaj. Kirby u shpreh se zyrtarët amerikanë “kanë qenë në kontakt me aleatët dhe partnerët përkatës gjatë dy ditëve të fundit në nivele shumë të larta”.
“Ne jemi ende duke punuar për vlefshmërinë e të gjitha dokumenteve”, tha Kirby.
I shtyrë nëse SHBA beson se disa nga dokumentet janë të vlefshme, Kirby tha se administrata “nuk mund të flasë për vërtetësinë dhe vlefshmërinë e ndonjë prej atyre dokumenteve në këtë pikë”. Ndërsa shtoi se “nuk ka asnjë justifikim që këto lloj dokumentesh të jenë në domenin publik”.
/rtsh.al/