E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kërcënuan biznesmenin të tërhiqet nga tenderi që fitoi në Tiranë, në pranga 3 persona në Elbasan

Tre persona janë vënë në prangat e Policisë së Elbasanit, dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi kërcënuan administratorin e një kompanie private që të tërhiqej nga procedura e konkurimit për tenderin që kishte fituar.

Blutë e Elbasanit bëjnë me dije se operacioni ka nisur që mbrëmjen e së dielës (9 prill) dhe ka vijuar dhe mëngjesin e sotëm, ku kanë vënë në pranga një 37-vjeçar, një 27-vjeçar dhe një 62-vjeçar, të tre banues në Tiranë dhe kanë shpallur në kërkim një 38-vjeçar.

Këta 4 persona, kanosën administratorin e një firme në Cërrik dhe e kërcënuan që të tërhiqej nga procedura e tenderit që kishte fituar në bashkinë e Tiranës.

Policia sqaron se “Këta 4 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma e që ai administronte. Shtetasi E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij”.

Në pranga ranë E. B., 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe  Sh. A., 62 vjeç dhe u shpall në kërkim L. K., 38 vjeç.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›