E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthejnë akuzat midis demokratëve

Gazmend Oketa, shpalli dje largimin e tij nga radhët e PD-së, duke theksuar se ky largim do të zyrtarizohet gjatë muajit mars.

I njohur si kritikë nga drejtimit të PD-së, por edhe si mbështetës i Presidentit Bamir Topi, deputeti i Qarkut të Durrësit, Oketa, e ka shprehur qartë se do të angazhohet në partinë e re të djathtë që do të krijohet, e sipas tij, ajo do të jetë e djathta e vërtetë.

 “Zyrtarisht unë jam deputet i grupit të PD-së, por të them të vërtetën u bë një kohë e gjatë që nuk i frekuentoj mbledhjet e Grupit Parlamentar. Së pari nuk dua të jem prezent në ato mbledhje ku më tepër sesa të flitet për çështje konkrete, merremi me njerëz që nuk janë prezentë në ato ambiente, sulmohen vend e pa vend institucionet e pavarura. Kur më kanë pyetur disa kolegë pse nuk vjen, i kam thënë sepse nuk dua që pas 20-30 vitesh kur të bëhen disa dokumentarë siç bëhen sot për ish-mbledhjet e Byrosë Politike, nipërit e mi të më shohin të pranishëm aty. Këtë doja ta shmangia”, pat deklaruar ai për mediat.

Dakord me këtë deklaratë duket se është edhe deputeti tjetër demokrat, Mark Marku. “Është pak a shumë e vërtetë. Ka një lloj formalizmi në mbledhjet e grupit parlamentar. Por nuk shikoj ndonjë atmosferë të tipit, që një anëtar i grupit të mos ketë mundësi të shprehet. Kam përshtypjen se përgjegjësia për mungesën e një lloj dinamike të jetës së brendshme është sa problem i partive, po aq edhe problem i individëve”, është shprehur Marku. Duke folur për largimin e Oketës nga grupi, Marku tha se vendimi është persona, duke shtuar se ai kishte ardhur nga pakënaqësitë e brendshme brenda partisë.

“Është një zgjedhje personale dhe duhet respektuar si e tillë. Problemet e pakënaqësive ndoshta nuk duhet të çojnë në divorc me një formacion politik, sepse Partia Demokratike është një strukturë historike. Fakti që në një moment konstaton disa gjëra negative nuk do të thotë që duhet të shkëputesh nga kjo forcë politike. Unë do të shikoja si rrugë veprimi të kundërtën, që të punosh nga brenda, të ndikosh pozitivisht, që ato çfarë janë negative të shndërrohen në pozitive”, tha  Marku. /Start/

                                                                                             2012-02-26 08:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›