Shpërthen Bunjaku (VIDEO)

Nurnberg ka arritur ta shënojë një fitore të rëndësishme të shtunën në shtëpi të Hannover. Pa dyshim, njeriu i ditës ishte Albert Bunjaku, i cili realizoi tre gola, het-trick i tij i parë në Bundesliga 1 gjermane.
Sulmuesi kosovar e ka shënuar golin e parë në minutën e 30-të, pasi mori një top nga bashkëlojtari Mintal. Gjilanasi i ka gëzuar 1500 tifozët që kishin shkuar në Hannover për ta përcjellë skuadrën e tyre të zemrës, në minutën e 64-t, pasi u shërbye nga Diekmeier.
Ndeshja u bë dramatikë vetëm një minutë më vonë, kur Jiri Stajner e zvogëloi avantazhin e mysafirëve, 1:2. Pas katër minutash (69’), 26 vjeçari nga Kosova e ka konfirmuar ekstra klasin e tij.
Një aksion i nisur nga greku Charisteas, përfundon tek Bunjaku, i cili me gjakftohtësi e mposht për herë të tretë portierin vendës, në ditën e paharrueshme të futbollistit kosovar.
Ky tregolësh e ngrit në 9, numrin e golave të shënuara këtë sezon nga ish futbollisti i FC Rot-Weiss Erfurt. Këto ishin tri pikë të rëndësishme të Nurnberg, për t’i ikur sadopak fundit të tabelës në Bundesliga 1. Të shtunën e ardhshme, ky ekip do të jetë mikpritës i VfB Stuttgart.
Me duartrokitje të tifozëve të Nurnberg, Bunjaku ia ka lëshuar vendin futbollistit Nordtveit, në minutën e fundit të ndeshjes. Në anën tjetër, për Hannover, 66 minuta ka luajtur sulmuesi kosovar Valdet Rama, i cili u zëvendësua me bashkëlojtarin Djakpa.
Pa dyshim, tregolëshi i së shtunës, mund t’ia rrisë gjasat Bunjakut që ta rrëmbejë një vend për Botërorin, Afrika e Jugut 2010 me Zvicrën. Nëse vazhdon me shënimin e golave, selektori Ottmar Hitzfeld mund ta shndërrojë në realitet, ëndrrën e gjilanasit.