Kosova (V) në rrezik

Të shtunën ka qenë afati i fundit për blerjen e aksioneve në Kosovën e Vushtrrisë. Mirëpo, asnjë donator nuk e ka bërë një gjë të tillë. Donatorët, përkundër interesimit, kanë hezituar të blejnë aksione në klubin bardh e kaltër sherri i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë.
Sipas nënkryetarit të Kosovës (V), Basri Asllani, donatorët nuk kanë pranuar të hyjnë në klubin vushtrrias, me arsyetimin se Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ende nuk ia ka dhënë klubit stadiumin në shfrytëzim për afat më të gjatë.
“Aksione nuk ka të shitura. Të interesuar ka pasur, por ata nuk kanë pranuar t’i blejnë aksionet, sepse Komuna nuk po na jep stadiumin në shfrytëzim për 10 apo 15 vjet. Të interesuarit për të blerë aksione, nuk e kanë pa të nevojshme që të hyjnë në klub për të investuar, dhe për të paguar edhe qira për stadium”, deklaroi Asllani për Express.
Ai tha se nëse Kuvendi Komunal i Vushtrrisë nuk merr vendim që t’i jepet klubit stadiumi në shfrytëzim brenda pak ditësh, atëherë Kosova e Vushtrrisë vështirë se do t’i nis garat në stinorin pranveror.
“Kështu nuk bën më. Nëse Komuna brenda pak ditësh nuk na jep stadiumin në shfrytëzim për një afat të gjatë, atëherë 90 për qind nuk do t’i nisim garat, sepse është e pamundshme të vazhdojmë kështu. Seriozisht, ekzistenca e klubit është në dyshim të madh”, theksoi Asllani.
Kosova e Vushtrrisë aktualisht është edhe pa trajner, sepse të gjithë po hezitojnë ta udhëheqin klubin, si pasojë e krizës financiare të cilën po e përjeton.
Kosova (V) stinorin vjeshtor e ka përmbyllur duke u radhitur në vendin e fundit në tabelë me vetëm 14 pikë të tubuara.