Shpërthen Magani: Më irriton ky futboll!
E ka parë veten të dalë jashtë fushës së lojës pas minutës së 52-të, atëherë kur trajneri Kridens Meta nuk do të hezitojë për ta larguar nga stoli trajnerin peqinas të vlonjatëve. Magani po përpëlitej shumë në stol, duke mos duruar dot lojën e ashpër të vendësve dhe ka shpërthyer në një moment, por ky reagim i tij ka bërë që Meta ta nxjerrë jashtë fushe. Në fakt, ishin pikërisht disa ndërhyrje brutale të vendësve, të toleruara nga gjyqtari kryeqytetas ato që sollën edhe irritimin e Maganit, që në përfundim të ndeshjes nuk do të hezitonte fare për të drejtuar gishtin tregues te treshja gjykuese. “U dallua fare qartë se Bylisi kishte mbrojtje shtesë prej gjyqtarëve. Ata luajtën me 14 vetë dhe jo me 11,” ka deklaruar me tone të larta trajneri Magani.
Por, një situatë aspak e këndshme ka qenë momenti i shoqërimit të tij nga forcat e rendit, dhe jo nga gjyqtari i katërt i ndeshjes. Kur Kridens Meta vendosi largimin e tij, Magani vijoi të protestonte dhe më ashpër e, atëherë, në vend të gjyqtarit të katërt, u afruan disa policë, që e morën trajnerin e Flamurtarit dhe e nxorën jashtë fushe. Ndonëse Magani nuk e përmendi këtë rast, pamjet televizive ishin fare të qarta. Më pas, trajneri kuqezi analizoi shkurtimisht lojën e të tijve. “"Ishte një takim që e kishim vlerësuar shumë. Arritëm të krijonim raste, por më pas e pamë qartë se po luanim kundër 14 lojtarëve të Bylisit, jo 11 si zakonisht,” theksoi Magani, i cili e mbylli duke shprehur nervozizmin e tij për një kampionat aspak të drejtë dhe ky gjyqtarët po bëhen palë me ekipe të ndryshme. “Nuk mund të vazhdohet kështu, me këtë futboll. Jam i irrituar për situatën." ka mbyllur Magani deklaratën e tij pas konferencës për shtyp.