Babai i Almës: Gjithmonë kam dashur që vajza ime të shkollohej
Një nga banoret pretendente për çmimin e madh 100 milionë, të Big Brother 4, duket se është edhe Alma. Vajza me një jetë të vështirë, e rritur me prindër të divorcuar, me një fejesë që në moshën 15-vjeçare, më tej si një emigrante në Itali… Por tashmë jeta e saj duket më e stabilizuar se ndonjëherë… për më tepër, ndërsa ishte në shtëpinë e famshme, mori edhe një propozim për martesë nga i dashuri i saj Antonio. Por ashtu siç ajo ka pohuar vetë mes banorëve të shtëpisë, Alma nuk ka një marrëdhënie të mirë me të atin. Madje ajo ka treguar se një nga arsyet që gjendet në këtë reality-show është pikërisht kjo. I ftuar (me kërkesën e tij në fakt) dje në emisionin e Eno Popit, “Big Brother-Fun Club”, ka qenë pikërisht Elezi, babi i Almës, i cili ka rrëfyer plot detaje përsa i përket marrëdhënies së tij me të bijën!
Si e përcillni ju në shtëpi Almën?
Ne e përcjellim 24 orë rresht. Unë dhe djemtë. Dihet ajo punë, Alma është vajza ime, si do me qenë, gjaku nuk bëhet ujë. E mirë apo e keqe të jetë sjellja e saj, është vajza ime. Kështu që jam i detyruar që të vija këtu për të vetmen arsye se ajo nuk e ka përmendur shumë babanë e vet, ndërkohë unë i kam pasur raportet shumë të mira me ALmën.
Me atë çfarë ka komentuar Alma në shtëpi me banorët, duket se ka një lloj zemërate ndaj jush. A keni qenë shumë pranë jetës së ALmës?
Së pari, unë kam qenë pak i rezervuar si natyrë, dhe e dyta është se ajo iku në Itali, unë kam ikur nga Shkodra dhe jetoj në Fier dhe kështu që detyrimisht largësia krijon një farë ftohje, por në shpirt unë Almën e kam pas vazhdimisht. Unë kam tre djem dhe Alma është vajza ime e vetme.
Po të kishit qenë më shumë prezent në jetën e Almës, mendoni se ajo do të kishte tjetër karakter?
Alma është rritur me dashurinë e nënës së vet shumë mirë, ka krijuar personalitetin e saj dhe për këtë ndihem krenar. Ndoshta nuk kam marrë pjesë në krijimin e Almës si njeri, por falënderoj nënën e saj që e ka rritur në atë mënyrë.
Ju, herë pas here, keni qenë pjesë e Almës?
Po, kam qenë pjesë e jetës së Almës, se Alma iku në Itali te hallat e veta, motrat e mia dhe për çdo gjë atje është mbështetur, deri sa mori nënën, vëllanë dhe krijuan familjen e vet në Itali.
Ju keni qenë në dijeni dhe a keni qenë dakord për martesën e Almës?
Jo, nuk kam qenë dakord. Dhe nuk kam qenë në dijeni fare për fejesën e Almës, madje kam qenë shumë i revoltuar në atë periudhë për këtë arsye. Dhe mbasi Alma ka ikur natën e dasmës nga i fejuari i vet, unë e kam takuar mbas tri ditësh. I kam thënë të rrijë tek unë, por nuk ka pranuar, sepse ishte problem i të vëllait dhe nuk donte në fakt.
Në shtëpi Alma ka pohuar se i kanë munguar kukullat dhe lodrat, nga ju?
Jo, nuk është e vërtetë. Dhe po çuditem që e ka thënë këtë. Tani unë kam një familje, Alma është e rritur, është 29 vjeç dhe e di që unë nuk kam pasur mundësi të rri pranë tyre, por e kam ndihmuar kur ka pasur ditëlindjen e kam marrë në telefon, edhe pse nuk ma ka hapur telefonin, ka pasur plot raste të tjera…
Megjithatë, Alma ka thënë se motiv pse unë jam në Big Brother është dhe babai… ju prisnit një përshëndetje nga Alma?
Në asnjë mënyrë. Ajo ka jetën e vet, unë kam këtë, që si prind unë kam pasur qejf që të dëgjoj fjalët më të mira për Almën.
Me vëllezërit e saj si shkon Alma?
Nuk ka pasur kontakte, vetëm në një rast në jetë ka pasur kontakt me ta. Unë raportet me Almën i kam të njëjtat që kur ka lindur e deri më sot. Pasi Alma është fëmija im i parë dhe unë e kam dashur tej mase. Raportet unë i kam pasur shumë normale, ajo ka jetuar në Itali, unë në Shqipëri, kemi pas telefonata, e kam marrë, herë më ka marrë ajo, por një rast jam prekur prej saj, sepse unë e kam marrë për ditëlindje në telefon dhe nuk ma ka ngritur telefonin. Almën unë kam pasur qejf ta çoja në shkollë të lartë dhe sa herë e takoja i thosha vazhdo shkollën mos e lër, mirëpo, siç e dini, situata që ajo u fejua; edhe më pas unë kam pasur qejf që Alma të dilte në jetë me atë karakterin që kishte që e vogël dhe të ecte përpara. Dhe ndoshta kjo është bërë sebep që ka qenë ia kam thënë.
Alma mori një propozim martese gjatë Big Brother. Cila ishte ndjesia juaj në shtëpi?
Mua si prind m’u bë qejfi, por kemi edhe ne ato mentalitetet tona. Të ishte shqiptar ai, do të isha më i kënaqur, por gjithsesi bota po bëhet çdo ditë e më e vogël.
Si e shihni Almën nga ekrani? Ju pëlqen sjellja e saj?
Jam shumë krenar për të!
Ka ndonjë moment që Alma ju ka zhgënjyer?
Jo, nuk është se më ka zhgënjyer. Alma është e sinqertë, aty është një lojë. Unë i kam thënë dikur para nja tre-katër ditësh një mikut tim, që për mua ajo e ka fituar Big Brother-in nga karakteri, nga sjelljet, nga dashuria që ka për banorët e tjerë. Për shembull , gjatë spektaklit të kësaj të shtune, Neda ka thënë një fjalë dikur, ”Alma është motra ime”, mirëpo mbrëmë Neda ishte ajo që e nominoi Almën, ndërsa Alma nuk votoi për nominimin e saj. Kjo më ka bërë shumë përshtypje.
Kur Alma do të dalë, do të jeni ju që do të bëni hapin e parë apo do të prisni që ajo të vijë te ju?
Unë do jem ai që do shkoj ta takoj Almën, se unë jam prindi dhe unë ndoshta kam ato defektet e mia të karakterit.