Xhafa, vlonjati bëhet makth për Flamurtarin
Nuk ka përfituar dot Flamurtari për t’u shkëputur edhe më shumë nga Skënderbeu, çka do t’i lejonte kuqezinjtë vlonjatë të bënin një hap edhe më të madh drejt titullit kampion. Sfida e Ballshit ka rezultuar mëse e vështirë për ekipin që kryeson prej javësh të tëra kategorinë superiore dhe ku ka triumfuar dëshira e mbijetesës së Bylisit. Ka qenë një takim tejet i tensionuar, ku nuk kanë munguar edhe sendet e hedhura në fushën e lojës nga tifozëria ballshiote, por edhe kontestimet e forta të vlonjatëve, të cilët kanë parë trajnerin Magani të dalë jashtë fushe pas vendimit të kryesorit Meta në minutën e 52-të.
Që do të ishte një sfidë e nxehtë, të dyja skuadrat, e më shumë Flamurtari, e kuptuan që në momentin e nxehmjes, kur tifozëria vendëse filloi të mbushë e shumtë në numër shkallët e stadiumit “Adush Muça”. Sharjet në kor kundër vlonjatëve dhe thirrjet ndaj ekipit vendës për lojë të rëndë kundër miqve, e ka amplifikuar situatën aq shumë, sa thuajse të gjithë u bënë protagonistë të një ndeshjeje mëse nervoze. Shkëmbimet e para të topit vërtetuan më së miri këtë. Ndërhyrjet e ashpra nga Dimo me shokë kushtëzuan lojën e vlonjatëve, por edhe këta të fundit u përfshirë në nervozizëm, duke mos u kursyer asgjë vendësve. Ballshiotët do të synojnë më shumë drejt kuadratit mik të mbrojtur nga Shpëtim Moçka, por portieri i vlonjatëve është në një ditë të mirë. Edhe Daniel Xhafaj e Sebino Plaku janë një kërcënim i vazhdueshëm për Frashërin, por rezultati në pjesët e para nuk do të ndryshojë.
Fraksioni i dytë do të jetë edhe më vullkaniku i një përballjeje të denjë për antologji. Në minutën e 52-të, trajneri peqinas i Flamurtarit, Gugash Magani, që proteston ashpër ndaj kryesorit Meta për tolerim ndaj një ndërhyrjeje të rëndë të mbrojtjes së vendësve kundër lojtarëve të tij, por si shpërblim merr kartonin e kuq, duke u detyruar ta ndjekë ndeshjen nga tribuna. Minutat ecin dhe loja bëhet edhe më e ashpër. Megjithatë, aksionet e vërteta për gol mungojnë dhe duket se gjithçka do të mbyllet në paqe, të paktën përsa i përket rezultatit. Por, pikërisht kur nisi xhiroja e 60 sekondave të fundit të kohës së rregullt, Fjodor Xhafa, një vlonjat, arrin të shënojë duke bërë me krahë vendësit e duke futur në dëshpërim e protesta ndaj gjyqtarit miqtë. Sidoqoftë, pas kësaj ndeshjeje, Flamurtari vazhdon të kryesojë me 52 pikë Kategorinë Superiore pas 24 javësh, por tani ka vetëm 3 më shumë se Skënderbeu i vendit të dytë, që u duk se do t’i lante duart me titullin pas atij barazimi në Kavajë, por ka ndodhur e kundërta. Me këto tri pikë, Bylisi lë vendin e parafundit, duke parakaluar Besën dhe duke u ngjitur në vendin e 10-të me 24 pikë.