E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shperthen vullkani ne Islande pezullohen fluturimet lokale

Autoritetet islandeze kanë ndaluar fluturimet lokale për shkak të shpërthimit të vullkanit Grimsvotn, më aktivi në ishull. Një shtyllë tymi është ngritur në qiell deri në 20 kilometër nga qendra e vullkanit. Por, në ndryshim nga shpërthimi i vitit 2004, nuk priten ndalesa në fluturimet ndëroqeanike. Aeroporti kryesor është mbyllur për disa orë.

Islanda njihet për vullkanet e saj, të cilët shtrihen nën akullnaja dhe në momente aktivizimi, lëshojnë tym dhe avuj të cilat rezultuan mjaft problematike vitin e kaluar, në rastin e vullkanit Ejafjallajokull. Tymi dhe hiri vullkanik që ai ngriti, çoi në mbylljen më të madhe të hapësirës europiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rreth 10 milionë pasagjerë u prekën nga pasojat e kësaj ndodhie, ndërsa humbjet financiare ishin të mëdha. Megjithatë, studimet e fundit të publikuara muajin e kaluar tregojnë se rregullat e sigurisë të aplikuara për fluturimet kanë qenë të bazuara dhe mund të kenë parandaluar edhe ndonjë tragjedi.

Gjithsesi, në rastin e vullkanit Grimsvotn nuk priten masa drastike në lidhje me fluturimet edhe pse situata ndodhet nën monitorim. Zona e ndalimit ajror shtrihet 222 km rreth e qark vatrës së vullkanit, dhe specialistët po identifikojnë efektin që mund të ketë hiri vullkanik. Sipas tyre, shpërthimi i vitit të kaluar ishte një ngjarje e rrallë, që nuk përsëritet çdo vit.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›