E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana dhe Dinamo perballen sot ne mbremje ne Niko Dovana

Futbolli shqiptar do të njohë sot në mbrëmje fituesin e Kupës. Të gjithë prozhektorët do të drejtohen në “Niko Dovana” të Durrësit, ku në orën 19:00 Tirana dhe Dinamo do të kërkojnë trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin në vend.

Një Kupë që në këtë sezon ka një vlerë të veçantë për dy skuadrat e kryeqytetit, që vijnë në këtë sfidë pasi kanë mbyllur Superligën në mënyrë zhgënjyese. Dy formacionet që kanë bërë historinë në futbollin shqiptar kërkojnë të shpëtojnë sezonin, ndërsa finalja e Kupës është treni i fundit për të kapur Europën.

Tirana, 24 herë kampione e Shqipërisëe mbylli kampionatin në vendin e pestë të renditjes me një diferencë të madhe ndaj kampionëve të rinj të Skënderbeut, ndërsa oshilacionet e shfaqura javë pas jave ndikuan në formën e skuadrës që ka fituar më shumë tituj në historinë e futbollit shqiptar.

Gjithsesi, sfida e sotme në “Niko Dovana” mund të hedhë pas krahëve dështimin në Superligë. Fitimi i Kupës së Shqipërisë është shansi i fundit për bardheblutë për të siguar një biletë për në Ligën e Europës sezonin e ardhshëm.

I njëjti diskutim vlen edhe për Dinamon. Blutë fituan titullin kampion sezonin e shkuar, por e dorëzuan në mënyrën më të keqe kurorën dhe ende nuk e kanë të sigurt qëndrimin në Superligë.

Skuadra e drejtuar nga Artan Mërgjyshi do të luajë në play-out kundër Beslidhjes, por deri atëherë finalja e sotme në Kupën e Shqipërisë mund të jetë shpagimi për një sezon të mbushur me polemika, probleme dhe zhgënjim.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›