E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen zjarr në një pallat në ndërtim

Mungesa e masave të sigurisë në punë, si dhe e masave kundër zjarrit ka shkaktuar rënien e zjarrit në katin e tretë të një pallati në ndërtim e sipër në lagjen "Çole" të qytetit të Vlorës. Dëmet kanë qenë të konsiderueshme, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Policia e Vlorës njoftoi se në orët e paradites së djeshme, gjatë kryerjes së punimeve në një pallat në ndërtim e sipër, gjatë kryerjes së izolimit të tarracës së katit të tretë dhe shtrimit të polisterolit është shkaktuar një zjarr, i cili brenda pak minutash ka marrë përmasa të mëdha. Flakët kanë përfshirë shpejt një pjesë të konsiderueshme të ndërtesës. Tymi dhe bloza janë përhapur në të gjithë lagjen deri në qendër të qytetit. Punëtorët, sapo kanë konstatuar flakët e para, kanë ndërhyrë për ta fikur zjarrin me mjete rrethanore, por pa rezultat. Për të fikur zjarrin dhe për të mos lejuar përhapjen në të gjithë ndërtesën, punëtorët nuk kanë pasur asnjë mjet të përshtatshëm. I vetmi mjet që kanë përdorur për të fikur zjarrin ka qenë një zorrë uji që me vështirësi e kanë çuar deri në katin e tretë të ndërtesës. Rreth 15 minuta pas rënies së zjarrit, në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikëset që kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit. Sipas punëtorëve të firmës së ndërtimit, zjarri është shkaktuar nga ndonjë bisht cigareje i hedhur nga punëtorët në polisterol, ose nga temperatura e kryerjes së punimeve për izolimin me ngrohje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›