Uldedaj: Ligji i gjobave, ashpërson klimën me biznesin
Edhe pse Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nuk ishte firmëtare në grupin e shoqatave që depozituan kërkesën për shfuqizim në Gjykatën Kushtetuese, kundërshtimet ndaj ligjit kanë ardhur prej kohësh. Kryetari Gjok Uldedaj e ka cilësuar ligjin në fjalë, konkretisht nenin 107, pika 5, si "një qëndrim ekstrem i pakuptimtë, i cili ashpërson klimën e marrëdhënieve të biznesit në tërësi me administratën tatimore dhe me vetë shtetin në përgjithësi". Sipas Uldedajt, "për mënyrën absurde sesi është konceptuar tani sistemi i apelimit, ai kthehet totalisht në një sistem inekzistent, ku shteti në 100 për qind të rasteve do të jetë fitues". Dhoma e Tregtisë ka kundërshtuar edhe shkrirjen e shkallës së apelimit në Ministrinë e Financave.