E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthime të fuqishme tritoli në Shkodër dhe në Fushë-Krujë

Bledi Gilaj

Verifikimet

Në njërin rast, eksplozivi iu vendos llogaritarit të një komune, ndërsa në tjetrin, një lokali

Dy shpërthime të fuqishme eksplozivi kanë tronditur Shkodrën dhe Fushë-Krujën, ndërkohë që dyshohet se në të dyja rastet, motivi ka qenë hakmarrje për ndonjë konflikt të mundshëm. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur gjatë natës dhe policia ka nisur hetimet për zbulimin e autorëve, por të dëmtuarit kanë deklaruar se nuk kishin ndonjë konflikt personal.

Fushë-Krujë

Në lidhje me shpërthimin e regjistruar në qytetin e Fushë-Krujës, mësohet se ngjarja ka ndodhur afër mesnatës, mes së martës dhe së mërkurës, në qendër të këtij qyteti. Lënda plasëse nuk është përcaktuar ende por është adresuar në një nga lokalet e lojërave të fatit, kazino Admiral, në qendër të qytetit, fare pranë dyqanit të akulloreve që u përfshi në një tjetër shpërthim në fundjavën e kaluar. Si rezultat i shpërthimit të radhës, ka pasur vetëm dëme materiale, që konsistojnë në shkatërrimin e gjeneratorit që prodhonte energji për nevojat e kazinosë. Nuk ka pasur dëmtime në njerëz, por ngjarja ka tronditur banorët e zonës të cilët ndihen të pasigurt nga shpërthimet e ndodhura brenda një harku të shkurtër kohor në qytet. Grupi hetimor që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të zbardhur krejt ngjarjen, llojin e eksplozivit të përdorur dhe për të identifikuar autorët.

Shkodër

Ndërsa në rastin tjetër, një sasi eksplozivi është vendosur rreth mesnatës së të martës në banesën e llogaritarit të Komunës Shllak të Shkodrës. Shpërthimi ka ndodhur në banesën e Ndoc Lekës, 41 vjeç, në lagjen Tre Heronjtë në periferi të qytetit të Shkodrës. Lënda plasëse është hedhur në oborrin e shtëpisë, duke shkaktuar dëme materiale, ku dy automjete që ndodheshin në oborr janë dëmtuar me thyerje xhamash. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar deri në qendër të qytetit. Ende nuk dihen autorët dhe motivet e kësaj ngjarje. Por, policia është duke hetuar në dy pista, njëra që ka të bëjë me detyrën e Lekës, ndërsa tjetra për ndonjë konflikt personal për motive të dobëta, që mund të ketë pasur i dëmtuari me autorët. Gjithashtu, edhe i zoti i shtëpisë është marrë në pyetje nga policia dhe ka pohuar se nuk ka konflikt me njeri. Ky deklarim ka vështirësuar më tepër punën e policisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Dje janë intervistuar nga policia edhe kolegët e punës së 41-vjeçarit, që është vendosur lënda plasëse, por policia nuk ka arritur të marrë ndonjë informacion që mund të çojë në identifikimin e autorëve. Nga hetimet e para, policia ka dyshime se lënda plasëse mund të jetë tritol ose një granatë ofensive. Sipas ekspertëve, personat që kanë vendosur eksplozivin, kanë dashur vetëm të japin një mesazh kërcënimi për 41-vjeçarin Ndoc Leka. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe filmimet e kamerës së sigurisë së një objekti privat aty pranë.

Shpërthime të fuqishme tritoli në Shkodër dhe në Fushë-Krujë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›