Shpërthimet në Fushë-Krujë, dhjetëra shtëpi e biznese të dëmtuara

SARA XHIXHA, E CILA JETON TE TEZJA NE FSHATIN LUZ DHE I KA MBIJETUAR SHPERTHIMIT
Ka shpëtuar dy herë nga uji dhe njëherë nga zjarri. Ka frikë nga bubullimat e vetëtimat që paralajmërojnë shiun, ka frikë nga nata, ka frikë nga çdo lloj zhurme, por më shumë ka frikë se çfarë i sjell momenti. Kjo është Sara Xhixha, vogëlushja 12-vjeçare që për ti shpëtuar ujit që iu fut në shtrat teksa po flinte, së bashku me familjen e papunë, braktisi shtëpinë e rrënuar nga përmbytjet e dimrit në Fushë-Krujë, për tu zhvendosur disa kilometra më larg te tezja në fshatin Luz, për pak siguri dhe qetësi. Që në fakt, nuk i gjeti asnjërën prej tyre. Në vend të ujit, në shtratin e saj u futën copa xhami dhe suvaje, të shoqëruar me erë baruti. Për fat të keq, banesa ku u transferua Sara ndodhej ngjitur me Urën e Bardharit, që u hodh në erë pas mesnatës së 19 majit. Ndërsa për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz, por shtëpitë dhe bizneset rreth e rrotull u dëmtuan rëndë. Një dëm i cili dita-ditës shtohet me miliona lekë nga shpërthimet seriale gjatë natës me tritol, ndërsa gjithçka po paguhet nga vetë të zotët, pa arritur të marrin kompensim. Dhe nuk janë të vetmit. Rreth e rrotull kanë shumë shokë, që tashmë pasjen e një shtëpie pranë urave e konsiderojnë fatkeqësi. Rreth e rrotull kanë shumë biznese që po ndërpriten, sa herë dikujt i teket të vërë tritol poshtë shtyllave të tensionit të lartë. Rreth e rrotull është edhe fabrika gjigande e çimentos, për të cilën thuhen shumë histori Disa janë të dëgjuara, disa të imagjinuara, ndërsa diçka do të mësoni sot për herë të parë. Në disa fshatra në Veri të Fushë-Krujës sinjali SOS po pëlcet; njerëz që në dimër ikën nga uji dhe shkojnë te tritoli! Ashtu si Sara
FËMIJË PA FËMIJËRI

Duke kaluar atë çfarë ka mbetur nga Ura e Bardharit
Shpërthimet me tritol të ndodhura dy muajt e fundit në Fushë-Krujë kanë ndodhur të gjitha pranë fabrikës së çimentos Seament Holding Group, që pozicionohet në Veri të këtij qyteti. Janë katër rrugë që të çojnë drejt këtij biznesi gjigand, tre prej tyre janë të pakalueshme nga automjetet e rënda. Ka mbetur ende një rrugë që të çon drejt kësaj fabrike, por edhe kjo disa herë e sabotuar nga tritoli, edhe pse nuk është dëmtuar tërësisht. Banorët e zonës i lidhin këto shpërthime me konkurrencën e biznesit të çimentos, ndërsa policia jep një tjetër pistë; atë të konfliktit të pronësisë së banorëve me administratorët e fabrikës, për shkak të marrjes së pronës me koncesion 99 vjet si tokë shtetërore. Për këtë akuzë, para dy ditësh u arrestuan 5 veta, por çështja është ende në hetim. Sido që të jetë e vërteta, ajo po zbardhet nga policia. Ne po zbardhim atë çfarë nuk do ta gjeni në asnjë raport zyrtar; fëmijë pa fëmijëri, gra shtatzënë të terrorizuara dhe pleq supersticiozë, që besojnë që fatkeqësitë po vijnë ngaqë banorët nuk besojnë më Tashmë jemi prezantuar me Sarën, rrëfimin e së cilës e lamë në mes, për të bërë një përmbledhje të të gjithë historisë, për ata që nuk e dinin se çpo ndodh. Është pikërisht momenti për ta vijuar. Kam frikë të vijë nata. Te shtëpia që kishim në Fushë-Krujë uji më erdhi natën dhe u fut në krevatin tim, kur ndodhi përmbytja e parë. Më pas u mësuam dhe, sa herë kishte shi, babi, mami ose 2 vëllezërit bënin roje me radhë. Një natë, kur shiu nuk kishte pushuar për disa ditë me radhë, u detyruam të zgjoheshim të gjithë nga gjumi dhe të braktisnim njëherë e mirë shtëpinë, pasi po mbyteshim aty brenda, rrëfen 12-vjeçarja. Teksa flet, bën gjeste me duar sipas tregimit. Kur përmend ujin, bën sikur po noton. Kur përmend natën dhe frikën e gjumit, mbledh supet dhe shtrëngon krahët e vet. Kur përmend braktisjen nga shtëpia, vetëm ul sytë Tani kemi ardhur të banojmë këtu te tezja (fshati Luz, pak km larg Fushë-Krujës) derisa të bëjmë një tjetër shtëpi, por edhe këtu, sa bie nata trembem. Para 3 javësh desh më ra të fikët dhe jam rrëzuar nëpër shkallë duke vrapuar dhe bërtitur. Dëgjova një zhurmë të fortë që më tronditi fort dhe më hodhi nga krevati, ndërsa sipër më ranë disa copa muri dhe xhamash. Fillimisht, kujtova se ishte tërmet, ndaj vrapova për të dalë jashtë duke thërritur mamin e babin. Edhe ata më thërrisnin mua dhe vëllezërit. Asnjë nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte dhe pas pak çastesh u gjendëm të gjithë në oborr, së bashku me familjen e tezes. Ishte natë dhe nuk shihnim, ende vijonim të besonim se ishte tërmet, derisa filluam të ndjenim erën e barutit dhe pamë disa flakë të vogla te Ura e Bardharit. Atëherë, më të mëdhenjtë e kuptuan që diçka kishte ndodhur dhe shkuan te ura. U përpoqa të afrohesha edhe unë, se ja, shihe, e kemi ngjitur, por babi më tha që të futesha brenda në shtëpi dhe të flija sërish, thotë Sara. Të flejë sërish është porosia e çdo nate, por ajo nuk mund të flejë. Sa herë vjen nata, ka frikë të mbyllë sytë. Në ëndërr i del uji që po i merr shtëpinë, bubullima, vetëtima, flakë, zhurma. Nuk arrij dot të fle, flet nën zë vogëlushja, e cila, përveç shtëpisë, ka braktisur edhe shkollën. Kam shkuar ditë-ditë, por është shumë larg shkolla që kisha. Tani përfundoi dhe shpresoj që vitin tjetër të kthehem sërish në shtëpinë time dhe të vijoj shkollën rregullisht, thotë Sara, edhe pse kthimin e dyshon paksa: Nuk e di se si do ta ndërtojmë shtëpinë e re, pasi mami e babi nuk punojnë, vetëm njëri nga vëllezërit gjen ndonjëherë punë ditë-ditë. I kam dëgjuar në biseda dhe di që po na ndihmojnë të afërmit, por nuk di të them, nuk di të them, vetëm se, lë fjalinë në mes Sara. Vetëm se, fol Sara, çfarë ka më tepër, e pyesim ngadalë dhe po kaq ngadalë marrim edhe një gjysmë përgjigje: Vetëm se më ka humbur besimi se do të kthehem sërish një ditë.
TRITOLI NA TRIMËRON FËMIJËT NË BARK
Pas kësaj fraze, është vështirë të kuptosh se kush ta jep më shumë goditjen në kokë: përgjigjja e Sarës në lot, pamundësia për ta ndihmuar këtë vajzë apo dielli që ka rastisur krejt i zjarrtë në këtë bisedë. Çuditërisht, dielli u fsheh shpejt pas reve si për të thënë që nuk ka faj, ndërsa goditja vijoi. Madje edhe më e fortë, ashtu si edhe takimi i radhës me një tjetër fëmijë, Genin. Thotë që është 8 vjeç, por shoku i tij që vetëquhet Spiderman bën shaka me të, duke i rënë krahëve: Ai është bebe, se qan natën dhe urinon në krevat. Geni i kthehet me grushta, por edhe Spiderman- i nuk ia përton. Zënka ashpërsohet dhe Spiderman kërcënon: Do të të hedh në erë, ndërsa Geni ia kthen duke tundur majtas- djathtas gishtin e madh: Naaaaaa, tritolin e kam unë. Në moment, pas murit shfaqet një grua shtatzënë, që ecjen e kishte të ngadaltë, por dorën shumë të shpejtë. Me nga një dackë të vogël në kokat e të dyve, ajo i ndan fëmijët, duke i sharë dhe urdhëruar që të kthehen nëpër shtëpi. Është nëna e Genit dhe siç duket, i zë vend si fjala, si dacka, por edhe kurioziteti. Kthehet menjëherë nga ne dhe do të dijë gjithçka, edhe pse u mjaftua me diçka për të folur menjëherë. Pse, për shpërthimet keni ardhur ju deri këtu? Qyqja, po ato na janë bërë të zakonshme, thotë gruaja nga fshati Tal dhe që prezantohet me emrin Mira, ndërsa shton duke qeshur: Mua më kanë forcuar zemrën, më ka trimëruar edhe djalin në bark, jam mësuar, nuk e kam problem. Por një shoqja ime që është edhe ajo shtatzënë, desh ka abortuar nga frika kur shpërtheu ura. Ajo jep edhe shembuj të tjerë frikësimi të mikeshav