Shpërthimet në Patoz-Marinëz, Subashi: Të hetohen

Partia Socialiste ka reaguar sot për shpërthimet në zonën naftëmbajtëse të Fierit. Deputeti i PS-së Armando Subashi në një prononcim për mediat akuzoi qeverinë për heshtjen e saj, në lidhje me shpërthimin e dy ditëve më parë në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz.
Sipas Subashit, qeveria e institucionet përkatëse duhet të merrnin masa e të dënonin shpërthimet, por sipas tij askush nuk reagoi.
“Pardje në Patos-Marinëz pati një shpërthim që tmerroi banorët. Pritëm që të kishte një reagim nga institucionet, ministria e Ekonomisë nga deputetët e zonës, nga kryeministri por askush nuk reagoi. Tërmet 3,2 ballë thanë burime nga qeveria, a thua se banorët e hanë këtë ndërsa shteti heshti duke u zhytur përditë e më thellë në llumin e korrupsionit”, tha Subashi.
Ai i ka kërkuar prokurorisë hetim rreth këtyre shpërthimeve të cilat sipas tij kanë sjellë jo vetëm panik e dëme të konsiderueshme materiale te banorët, por nga ana tjetër po bëjnë të papërdorshme këto vendburime për të ardhmen.
“Ne do të jemi gjithmonë përkrah banorëve të kësaj zone, nuk do pajtohemi asnjëherë me këtë situatë dhe vuajtjet e këtyre njerëzve, padrejtësitë në ndarjen dhe administrimin e pasurive publike do të marrin fund, do të marrin fund menjëherë sapo të largojmë me votë bashkë me shqiptarët këtë regjim. Partia Socialiste dhe programi jonë ”Për Një Rilindje Shqiptare” jo vetëm do i japë fund këtyre barbarive, por e gjithë kjo zonë do të marrë gjithë vlerësimin ekonomik e social që i takon si një nga zonat më të pasura në Shqipëri. Programi ynë “Për Një Rilindje Shqiptare” do vlerësojë në maksimum mundin e djersën mijërave naftëtarëve e specialistëve të sektorit, duke i dhënë nderin dhe statusin që i takon” shtoi Subashi.