Shpërthimi i bombës në Pakistan, shkon në 44 numri i viktimave! Policia: Pas ngjarjes fshihet Shteti Islamik

Të paktën 44 persona mbetën të vrarë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe në provincën veriperëndimore të Pakistanit Khyber Pakhtunkhëa, në një tubim nga mbështetësit e një kleriku të linjës së ashpër dhe lideri politik në zonën e cila kufizohet me Afganistanin.
Policia bëri me dije se shpërthimi në tubimin e së dielës (30 korrik) për partinë konservatore Jamiat Ulema-e-Islam (JUI-F), partner i koalicionit qeveritar, u krye nga një kamikaz i cili shpërtheu jelekun e tij afër skenës, raporton The Guardian.
Policia sqaroi më tej se sipas hetimeve fillestare, dyshohet se pas sulmit fshihet grupi i Shtetit Islamik (IS), i cili vepron në Afganistan dhe është armik i talebanëve afganë. Por deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë mbi ngjarjen.
Më shumë se 500 mbështetës u mblodhën në një sallë pranë një tregu për mitingun, i cili po mbahej përpara zgjedhjeve që priten këtë vit, kur ndodhi shpërthimi.
Një emergjencë shëndetësore u shpall në spitalin e rrethit Bajaur dhe në zonat fqinje, dhe disa pacientë u zhvendosën me helikopter në spitalet e Peshaëarit.
Qeveria e Pakistanit pritet të shpërndahet në javët e ardhshme dhe partitë politike kanë filluar përgatitjen e fushatave të tyre.
“Ne i dënojmë këto sulme brutale ndaj punëtorëve dhe lidershipit tonë ndërsa zgjedhjet e përgjithshme në Pakistan po afrohen. Militantët po krijojnë frikë dhe filluan të synojnë tubimet politike. Ne jemi kundër këtij militantizmi dhe ka frikë nga sulme të tjera në tubime politike, kështu që partia jonë politike nuk mund të bëjë fushatë të plotë për zgjedhjet e këtij viti”, tha Kamran Murtaza, një senator i JUI-F.
Kryeministri, Shehbaz Sharif, dhe presidenti, Arif Alvi, gjithashtu dënuan sulmin dhe u kërkuan zyrtarët që të ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme për të plagosurit dhe familjet e viktimave.
Partia JUI-F drejtohet nga kleriku islamik Fazlur Rehman, i cili e nisi karrierën e tij politike si njeri i vijës së ashpër, por që ka zbutur imazhin e tij politik vitet e fundit për të bërë aleanca me partitë laike.
/rtsh.al/