E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi në Mitrovicë, ndërkombëtarët dënojnë aktin

Zyrtarë të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar sulmin e djeshëm gjatë një proteste paqësore të mbajtur në veri të Mitrovicës. Si pasojë e këtij shpërthimi, të shkaktuar nga një granatë dore e hedhur në turmë, një person vdiq dhe 11 te tjere mbeten te plagosur.

Shefja e Sigurisë dhe Politikës së Jashtme në BE, Catherine Ashton dënoi “incidentin tragjik në Mitrovicë” dhe i shprehu ngushëllimet e saj familjes së viktimës. Po ashtu Ministri britanik për Evropën, David Lidington deklaroi se “në Kosovë nuk ka vend që synimet politike të arrihen përmes dhunës”.

Edhe zyrtarë të OSBE-së në Kosovë kanë dënuar incidentin, së bashku me Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë. Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler tha se KFOR-i e njeh të drejtën për protesta paqësore dhe dënon aktin e dhunës. “Nuk do t’i toleroj veprimet që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, deklaroi Bentler.

Adela Zeza

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›