E Diel, 1 Nëntor 2026

Shperthimi ne miniere Naco Te mos fitohet kredo politike nga fatkeqesite

Ngjarja e sotme në minierën e Bulqizës, ku pas një shpërthimi në pusin nr.2 në galerinë e minierave, humbi jetën një minator dhe u plagosën disa të tjerë, ka vënë në lëvizje të gjithë aparatin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Kjo pasi ngjarja ka ndodhur disa ditë pasi nga METE është lëshuar një urdhër për pezullimin e punimeve në minierën e Kromit Bulqizë deri në vënien në gadishmëri pune të saj, në lidhje me sigurinë në punë. Ky urdhër mban datën 10.08.2011.

Një ekip pune është ngritur menjëherë nga ministri i METE-s, Nasip Naço dhe nën drejtimin e zv/ministrit Neritan Alibali është nisur me urgjencë drejt Bulqizës nëpërmjet helikopterit.

Specialistët e nisur drejt Bulqizës, do të verifikojnë nëse punëtorët e firmës koncensionare “ACR”, ishin duke kryer veprime kundër urdhrit të dhënë nga METE, apo ishin në minierë për riparimin e defekteve të konstatuara për shkak të ndërprerjes së punimeve.

Gjatë gjithë kohës, ministri i METE, Nasip Naço ka qenë në lidhje të vazhdueshme me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, duke ndjekur nga afër transportimin dhe ecurinë e shëndetit të të plagosurve në minierën e Bulqizës.

Ndërkohë Ministri Naço, i shpreh ngushëllimet e tij familjes së punonjësit Naim Shyti, dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve në këtë ngjarje tragjike.

Për ministrin Naço, nxitimi i disa politikanëve për të fituar kredo politike nga fatkeqësitë, nuk është njerëzore.

“Nëse ndokush shpreson të fitojë nga fatkeqësitë, ai është i pashpresë”, deklaroi ministri Naço.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›