Shpëtim Babaj drejt Kluzhit
Shpëtim Babaj mund t’ia shohë hairin turneut ndërkombëtar që po mbahet në Austri, pjesë e të cilës janë Trepça, Universitatea Kluzh, Dinamo Bukureshtit, Makabi Haifa, Hapoel Nikosia dhe Timishoara. Për shërbimet e mesfushorit kosovar ka shfaqur interesim skuadra rumune Universitatea Kluzh. Ai ka rënë në sytë e këtij klubi gjatë ndeshjes miqësore me ish-kampionin e Kosovës, Trepçën (1:0), e cila është zhvilluar javën e kaluar. “Kluzh është shumë i interesuar që ta transferojë Babajn. Ai ka shkëlqyer në ndeshjen kundër tyre dhe rumunëve u ka pëlqyer shumë loja e tij”, ka thënë menaxheri Nexhmedin Haxhiu, i cili njëherësh është edhe kryetar i klubit Trepça. Mirëpo, Babaj, i cili në sezonin e fundit mbrojti ngjyrat e Drenicës, duket pak i interesuar që të transferohet në klubin nga elita e futbollit rumun. “Shpëtimi nuk është shumë i interesuar që të transferohet në këtë klub. Unë do të bisedoj të martën me drejtuesit e Kluzhit dhe do të shohim se çfarë po ofrojnë”, ka shtuar Haxhiu i cili ka treguar se Babaj vitin e kaluar kishte refuzuar një ofertë nga Azerbajxhani. Skuadra e Universitatea Kluzh, e cila vitin e kaluar ishte pjesë e Ligës së Kampionëve, sezonin e sapo përfunduar në kampionatin e Rumanisë e ka përfunduar në vendin e tetë, me 47 pikë të grumbulluara. Gjatë karrierës së tij, Babaj ka veshur fanellën e shumë skuadrave si 2000-2001 Rudar Velenje NK Smartno, Besa Kavajë, Elbasani, Zorja Luhansk, Shakhter Karagandy, Gramozi, Tirana.