E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabregas-Barça, Arsenali dorëzohet

SHKRUAN: Jeton Selimi 29-06-2011 11:37

Mund të jetë java e duhur për të shkruajtur fjalën fund në telenovelën që ka lodhur këto dy vitet e fundit “topçinjtë”: ose më saktë, transferimin e Çesk Fabregasit te Barcelona. Londinezët duket se janë dorëzuar përballë frikës së mos humbnin kapitenin e tyre, aq sa nuk i kanë bërë as fotot e zakonshme me fanellën e transfertës (ashtu siç tregon “Mirros Sports”) dhe përballë një oferte të radhës të katalanasve, më e plotë sesa 31 milionë eurot e herës së parë (“Mails Sports” dhe “Guardian” flasin për 35 milionë stërlina plus bonuset), marrëveshja mund të quhet çështje e kryer. Vetë lojtari nuk e ka dashur asnjëherë një përplasje me Arsenalin, por dëshira e tij ka qenë gjithnjë që të rikthehej në Barcelonë. Përsa u përket rebelimeve të tjera në skuadrën e Vengerit, Samir Nasri, nuk ka bërë as edhe një gjysmëbuzëqeshje në prezantimin e fanellës së transfertës dhe për të jemi ende në fazën e mos rinovimit të kontratës me Mançester Junajtidin që pret rastin më të mirë për të ndërhyrë. Mbase për këtë, “topçinjtë” janë duke parë rrotull për të gjetur një zëvendësues të denjë dhe kileni Arturo Vidal i Bajer Leverkusenit mund të jetë njeriu i duhur. Vidal kushton 15 milionë stërlina, por duket se ardhja e kilenit nuk do ta shuajë lehtë mërzinë e tifozëve të Arsenalit që në rrjetet sociale janë shprehur të mërzitur me prurjet e pakta të merkatos dhe Arsen Venger duhet të përballet me një përgjegjësi totale në rast dështimit në këtë sezon.

Në rregull, titulli i “Mirros Sports” i dedikuar për Xhon Uilliamsin dhe pagës së tij “për të bërë hedhësin e plehërave” nuk është nga më elegantet, por e jep fare qartë idenë e detyrës që do të bëjë ish-bosi i Blekbërnit, ose më saktë të spastrojë grupin e lojtarëve që Mançini nuk i do më, por që nuk shiten për shkak të pagave të larta që marrin. Janë dy rastet më të vështira: Roke Santa Kruz dhe Kreg Belami, që për ironi janë dy lojtarë të blerë pikërisht nga Ulliams kur ishte në Ivud Park, Mes emrave të rinj në mbërritje është ai i Stefan Saviç, për të cilin është gati një ofertë prej 7 milionë eurosh.

Mbërritja e tij për vizitat mjekësore duhej të ishte një secret, por ajo copë e bardhë përpara spitalit “Bridxhuotër” për të mbrojtur identitetin e David De Geas, nuk mund të mos e tërhiqte vëmendjen. Kështu tentative e Junajtidit dështoi keqazi dhe e gjithë bota e mori vesh se tanimë kemi mbërritur në hapat e fundit për kalimin e portierit spanjoll të Atletikos te Red Devils për 17.8 milionë stërlina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›