Shpëtimi i Veselit
Ndeshja basketbollistike e së enjtes, ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës (54:67), ka mundur të shndërrohet në tragjedi, por fatmirësisht gjithçka përfundoi mirë.
Në fakt, në një duel, Granit Rugova i Sigal Prishtinës pa qëllim e ka goditur Brahim Veselin, i cili ka humbur vetëdija pasi i është përdredhur gjuha.
Mirëpo, falë intervenimit të shpejtë të mjekut të Sigal Prishtinës dhe një anëtari të kryesisë së ‘Torcidës’, Veseli i ka shpëtuar më të keqes. Ndërkohë, basketbollisti mitrovicas shpejt është dërguar për tretman mjekësor në spital të Mitrovicës.
“E kemi dërguar në spital. I është dhënë një injeksion dhe tani Brahim Veseli, për fat të mirë, është më mirë me shëndet”, ka thënë për Express drejtori i Trepçës, Besim Braha.
“Vërtet djaloshi ishte në rrezik, por falë intervenimit të shpejtë të mjekut të Prishtinës, ai i shpëtoi më të keqes. Andaj, në emër të klubit tim e falënderoj mjekun e Prishtinës për intervenimin e tij të shpejtë dhe të suksesshëm”, shtoi Braha.
Në anën tjetër, vetë Veseli ka treguar se tani është më mirë me shëndet. Por, ai do t’i mungojë Trepçës për disa javë, pasi mjekët i kanë sugjeruar që të pushojë.
“Nuk kam ditur asgjë në ato momente. Isha pa vetëdije. Më dërguan në spital dhe aty mora ndihmë mjekësore. Tani jam dukshëm më mirë me shëndet. Normalisht që akoma nuk jam këndellur plotësisht. I kam disa dhimbje, por besoj se shpejt do të shërohem plotësisht. I falënderoj të gjithë për ndihmën. Mjekët më kanë thënë të pushoj dy-tri javë dhe gjatë kësaj kohe të bëj kontrollime të rregullta”, tha Veseli për Express të premten.
Ai tregoi se edhe Granit Rugova, nga i cili kishte pësuar lëndimin, e ka telefonuar, duke i uruar shërim sa më të shpejtë.
“Vërtet, Graniti nuk e ka bërë me qëllim dhe ajo mund t’i ndodhë çdo basketbollisti, andaj e kuptoj. Edhe pse nuk e ka bërë me qëllim, Graniti më ka telefonuar dhe më ka kërkuar falje, duke më uruar njëkohësisht shërim të shpejtë. Por, e përsëris se ai nuk më ka goditur qëllimisht”, ka përfundoi Veseli.