Ushtrime vullnetare

Pauza e gjatë dimërore shkon në dëm të futbollistëve kosovarë. Ekipet e Superligës i lirojnë ata për një periudhë të gjatë, një muaj ose një muaj e gjysmë, para fillimit të përgatitjeve për sezonin pranveror.
Mirëpo, një pjesë e mirë e futbollistëve, për të mos mbetur pasivë, këtë periudhë e shfrytëzojnë për ta ruajtur formën, në mënyrë që, kur të fillojnë përgatitjet, të mos i nisin ato nga zeroja.
Pesë futbollistë vushtrrias të Superligës: Burim Sadiku, Labinot Osmani, Ismet Caka, Ilir Izmaku dhe Bajram Zuqaku, ushtrojnë fitnes së bashku nga katër herë në javë.
Pasi ekipet e tyre nuk e bëjnë një gjë të tillë, ata janë të detyruar të ushtrojnë individualisht, pasi që diferenca në mes të përfundimit të sezonit vjeshtor dhe fillimit të atij pranveror është ekstrem e gjatë, tre muaj.
“Pauza është shumë e gjatë, 3-4 muaj. Me këtë rast po biem nga forma dhe po shtojmë peshë. Unë me Labin, Ismetin, Ilirin dhe Bajramin ushtrojmë bashkë fitnes, por edhe dalim të vrapojmë. Kjo është mënyra e vetme për ta mbajtur formën. I këshilloj edhe futbollistët tjerë që ta ndjekin rrugën tonë”, deklaroi portieri i Hysit, Burim Sadiku.
Një tjetër futbollist që i kushton kujdes të veçantë gjendjes së tij fizike është edhe mesfushori i krahut të majtë i Hysit, Yll Hoxha. Ai insiston se kjo periudhë nuk guxon të kalojë pa ushtruar, sepse ata që e pësojnë do të jenë vetë futbollistët.
“Nëse nuk ushtrojmë në këtë periudhë, nuk na mbetet tjetër veçse ta lëmë futbollin krejt. Pushimi është shumë i gjatë, një muaj e gjysmë dhe kushtet janë katastrofë. Ushtroj për të mos mbetur pasiv. Fitnesi është një gjë shumë e mirë, por nuk duhet lënë anash as vrapimi”, theksoi Hoxha.
As futbollisti kryesor i KEK-ut, Valon Bajrami nuk preferon të mbetet pasiv në këtë periudhë. Mesfushori i shquar kosovar e shfrytëzon edhe Fakultetin e Kulturës Fizike, ku ai studion, për ta ruajtur formën e ndërtuar gjatë sezonit vjeshtor.
“Unë nuk kam dëshirë që kur të fillojnë përgatitjet të filloj nga zeroja. Në fakultet merrem me futboll, basketboll dhe gjimnastikë. Gjithashtu, as fitnesin nuk e lë anash”, u shpreh ai.
Te Flamurtari, Fidan Hasani, Dardan Jashari dhe Alban Bojniku nuk e lënë kohën të shkojë huq. Mbrojtësi Hasani ushtron tri herë në javë për t’i ikur shtimit të peshës dhe për ta mbajtur formën aktuale.
“Mendoj se është më mirë që të ushtrosh në këtë periudhë, në mënyrë që mos të mbetesh pasiv, pasi që mundësi të tjera për ta mbajtur formën nuk ka në këtë mot të ftohtë dhe me borë”, thotë Hasani.
Sezoni vjeshtor i Superligës ka përfunduar kah fundi i muajit nëntor, derisa ai pranveror, si rrallëkund në botë, do të fillojë pas afërsisht tre muajsh, në pjesën e dytë të muajit shkurt. Kjo periudhë nuk u shkon për shtati aspak futbollistëve.