Turqit, pas Nallbanit

Mesfushori kosovar, Ilir Nallbani gjatë afatit kalimtar të janarit pritet të largohet nga skuadra e Vllaznisë së Shkodrës. Ish futbollisti i Besës së Pejës, sipas të gjitha gjasave, karrierën do ta vazhdojë në futbollin turk.
Për reprezentuesin e Kosovës interesim kanë shprehur dy klube nga elita e futbollit turk dhe një skuadër nga liga e dytë e Turqisë. Drejtuesit e klubit shkodran tashmë kanë filluar negociatat me klubet e interesuar.
“Ka gjasa që gjatë janarit të largohem nga Vllaznia. Presidenti i klubit, Valter Fushaj, është në bisedime me klube që po më kërkojnë. Klubet e interesuara janë Konyaspor, Antalyaspor dhe Denizlispor. Këto klube më kanë kërkuar edhe gjatë kësaj vere, por transferi nuk u realizua”, ka thënë Nallbani për Express
28 vjeçari me klubin nga stadiumi ‘Loro Boriqi’ ka kontratë deri në verë të vitit 2011. Mirëpo, ish mesfushori i Elbasanit shpreson që të transferohet në Turqi gjatë afatit kalimtar të janarit.
“Nëse klubi nuk arrin marrëveshje për transferim gjatë janarit, atëherë do të luaj deri në verë te Vllaznia e më pas të transferohem në Turqi”, ka theksuar Nallbani i cili në vitin 2006 e kishte provuar vetën në futbollin hungarez, derisa ishte pjesë e skuadrës Tatabanya FC.
Që nga viti 2006, Ilir Nallbani luan në Superligën e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe pejani ka veshur fanellën e Elbasanit dhe Vllaznisë, ku luan edhe aktualisht. Ai thotë se ka ardhur koha që ta ndërrojë mjedisin.
“Shpresoj që të transferohem tani. Unë jam i gatshëm të bëj një veprim të tillë e po ashtu besoj se kam kualitete që të luaj në futbollin turk”, përfundoi Nallbani.
Gjatë verës nga skuadra e Vllazninës në klubin turk Genclerbirligi ishte transferuar sulmuesi Bekim Bala. Ndërsa më herët ishin transferuar edhe Xhevar Sukasj (Genclerbirligi) Gilman Lika e Admir Teli (Hacettepe SK).
Aktualisht në elitën e futbollit turk luajnë Lorik Cana (Galatasaray), Ergyn Berisha (Istanbul BB), Bekim Bala, Debatik Curri dhe Labinot Harbuzi (Genclerbirligi).