E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpetimi i bankave spanjolle arrin ne 15 te PBB

Ndërsa ekonomia spanjolle po shfaq sinjale të dobësisë dhe në një situatë të rënduar sociale me protestat kundër qeverisë, mësohet se shpëtimi i bankave në vend do t’i kushtojë Spanjës 15% të PBB. Ditët e fundit vendi periferik i Eurozonës është vënë në qendër të shtypit ndërkombëtarë duke goditur psikologjikisht vendin i cili po vuan një brishtësi të sektorit imobiliar dhe rritje të normës së papunësisë. Gjithsesi borxhi publik mbetet nga më të ulëtit në Eurozonë në 68,5% të PBB. Është pikërisht ky motivi për të cilin tregjet nuk e kanë shqetësuar ende Spanjën për një rrezik falimentimi. Por pavarësisht nivelit të borxhit ekonomia spanjolle ka shumë probleme. Tregu i sektorit imobiliar duket i falimentuar, numri i të papunëve po shtohet dita ditës duke goditur konsumin dhe investimet. Janë pikërisht këta sektorë të cilët shtojnë hendeqet në bilancin e bankave kombëtare. Por duke u rikthyer tek problemi i instituteve kredituese, ekspozimi i tyre në sektorin e pasurive të patundshme shkon ne mbi 300 miliardë euro dhe më shumë se gjysma e tyre mund të konsiderohen kredi të këqija, të cilat vështirë se mund të rikuperohen. Që nga fillimi i krizës e deri më sot qeveria ka paguar 105 miliardë euro për të parandaluar falimentimin e sistemit të kredive. Ndërkohë që nevojiten edhe 50 miliardë të tjerë që në total arrijnë në 155 miliardë euro, apo 15% i të gjithë ekonomisë spanjolle. Sindikatat kryesore të Spanjës vijojnë grevën e përgjithshme, e cila është e teta e këtij lloji që nga 1978 dhe e para gjatë qeverisjes së Rajoy. Qeveria e cila drejton vendin prej më pak se 100 ditësh, po kërkon me të gjithë kostot të shmangë një situatë të tillë të ngjashme me Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë, të cilat janë detyruar të kërkojnë ndihmën e ndërkombëtarëve. Madridi nuk ka mundur akoma të përmbush kërkesat e BE mbi bilancin dhe në të njëjtën kohë kërkon të bindë investitorët e huaj se ka aftësinë për të dalë nga kriza.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›