Berisha në gjurmët e Ramës, mbledh edhe ai tryezën e biznesit
Rama shkon në Uashington, Berisha bën të pamundurën që të shkojë edhe ai në DASH. Rama bën propozime për të përndjekurit, Berisha sërish e kopjon. Kreu i PS realizon një tryezë me interes të jashtëzakonshëm për biznesin, Berisha kujtohet pas shtatë vitesh për diçka të tillë
Për shtatë vjet në pushtet, nuk kishte organizuar një tryezë me pjesëmarrje kaq të gjerë të biznesit. Por vetëm pak ditë pasi kryetari i opozitës, Edi Rama, organizoi një tryezë me një interes të jashtëzakonshëm për biznesin, kryeministri Sali Berisha bëri të njëjtën gjë. Vetë biznesi i kujtoi se takime të tilla duhet të organizohen më shpesh.
Por synimi i kryeministrit nuk është meraku për biznesin, por më shumë tërbimi me tryezën e Ramës. Për ditë me radhë mediat e tij zienin nga lajmi se si kishte dështuar tryeza e Edi Ramës.
Në këtë mënyrë Berisha po shkon në gjurmët e Ramës. Opozita ka arritur që ta tërheqë pas vetes mazhorancës në disa raste, më i fundit ai i ligjit për ish- të përndjekurit. Po ashtu, pas vizitës së Edi Ramës në Uashington, Berisha po bën të pamundurën, duke shpenzuar shifra rekord për të realizuar edhe ai një vizitë në SHBA. Siç njoftonte edhe ambasada amerikane, ai thjesht është ftuar nga Vatra, por po luan të gjithë gurët që të futet në Departament të Shtetit për një takim.