E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtim te rezervave te naftes per te ulur cmimet

Rritja e çmimeve të naftës mund të shfaq një kërcënim për rritjen ekonomike. Afirmimi vjen nga Organizata për Bashkëpunim dhe zhvillim Ekonomik. Sipas OECD, cmimi i naftës Brent të Londrës është rritur me mbi 10 dollarë që nga fillimi i muajit shkurt të këtij viti dhe kjo mund të shtojë inflacionin në vendët anëtare dhe do të ulë me 0,1 dhe 0,2 pikë përqindje PBB mesatar në vitin e ardhshëm. Ndërkohë bëhet e ditur se SHBA, Franca, Japonia dhe Britania e Madhe janë duke studiuar një veprim të koordinuar të emergjencës mbi rezervat e naftës. Sipas nëj artikulli të FT, ky veprim i përbashkët do të ndërmerret pasi mendohet se frika për rreziqet mbi cmimet e larta të naftës janë në rritje dhe mund të ndikojnë në impaktin mbi ekonominë globale. Një ditë më parë ministri francez i energjisë Eric Besson ka deklaruar se SHBA i kanë kërkuar Francës për këtë bashkëpunim në shtimin e rezervave të naftës, duke u shprehur se Franca është në favor të këtij veprimi dhe pret konkluzionet e Agjencisë ndërkombëtare të Energjisë. Qeveria franceze është në favor të këtij propozimi dhe kërkon të bindë vendet prodhuese të naftës të shtojnë sasinë e naftës në treg, në mënyrë që të luftojnë spekulimet që çojnë në rritjen e cmimeve. Ndërkaq nga Gjermania bëhet e ditur se nuk ka marrë ende një propozim të tillë zyrtar nga ana e Agjencisë ndërkombëtare të Energjisë, mbi mundësinë e përdorimit të rezervave strategjike të naftës. Departamenti amerikan i energjisë ka deklaruar se rezervat e benzinës janë pakësuar në 223 milionë fuci dhe se rezervat e karburantit kanë rënë në rreth 136 milionë fuci. Pavarësisht kësaj Rezerva Federale Amerikane përpiqet të mos shtojë frikën mbi cmimet e naftës me një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare duke theksuar se cmimet e naftës mbeten të panjohura për ekonominë amerikane dhe kineze dhe se tensionet aktuale mbi Iranin janë një cështje më shumë politike se ekonomike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›