E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shpëtimtarët” e rinj të Skënderbeut

 Ashtu si ishte parashikuar fillim-java ka sjellë ndryshimet më të mëdha që mund të ndodhin ndonjëherë në ekipin e futbollit të qytetit të Korçës. Agim Zeqo është presidenti i ri i këtij ekipi, i pasuar dhe nga donatorë të tjerë, ndërkohë që Ministri i Financave Ritvan Bode është angazhuar personalisht në lobingun më të ri të tij në emër të ekipit të qytetit ku ai është zgjedhur deputet. Madje vetë ministri Bode ka udhëtuar drejt qytetit juglindor jo për takime të zakonshme të tij, por për një takim tejet të veçantë. Në një atmosferë të jashtëzakonshme ku më shumë se 500 tifozë kanë mbushur shkallët e Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla” është zhvilluar ceremonia zyrtare e prezantimit të ndryshimeve tejet të rëndësishme që kanë ndodhur në klubin e futbollit por dhe në ekipin e Skënderbeut. Agim Zeqo ka deklaruar se ky Skënderbeu do të jetë një ekip elitar ashtu si i takon. Kryebashkiaku Niko Peleshi e ka mirëpritur këtë hapje që ka bërë kryesia dhe presidenca korçare me emra donatorësh të rinj si Irfan Hysenbelliu, Zamir Mane, kompania Supersport etj. Sipas tij kishte ardhur momenti që Skënderbeu të evidentonte problemet dhe të vinte në këtë pikë që do të thotë se statusi i tij tashmë do të ndryshojë dhe performanca e kësaj skuadre do të jetë ndër më të mirat.                       A.çakshiri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›