Tirana, ikën Dede, Muka bëhet zv/trajner
Nevil Dede nuk është më zëvendës/trajneri i skuadrës së Tiranës. Ai ka dhënë dje dorëheqjen duke e lidhur atë me problemet e fundit që kanë dalë tek klubi bardheblu. Ish-kapiteni dhe një nga figurat e kohërave të suksesshme të Tiranes ka vendosur të tërhiqet nga posti i trajnerit të dytë, pasi sipas tij drejtuesit e klubit nuk i dhanë atij vendin e trajnerit të parë pas dënimit që federata i dha Alban Tafajt. "Për momentin më vjen keq që jam pjesë e Tiranes edhe pse ndihem pjesë e saj. Kam dhjetë ditë që kam biseduar me drejtuesit e ekipit dhe nuk mund të vazhdohet kështu. Me një person siç është trajneri i tanishëm, unë nuk mund të vazhdoj të bashkëpunoj", ka thënë Dede. I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidnetit Halili i cili ka vendosur që ti dorëzojë postin e Nevil Dedes, kapitenit aktual të Tiranës, Devi Muka. "Tafaj do të stërvisë skuadrën siç ka bërë deri tani, ndërsa Muka do të jetë ai që do të shkojë në pankinë gjatë ndeshjeve duke qenë se Tafaj ëhstë i dënuar. Ky është vendimi që kemi marrë, ndaj Tirana do të vazhdojë të drejtohet vetëm nga tiranas", ka pohuar Refik Halili.