E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shpëtojnë” kandidatët e koalicionit të majtë në Fier

07/04/2011  KQZ miraton kërkesën ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste

Regjistrimet filmike kanë shpëtuar kandidatët e koalicionit të majtë në bashkinë e Patosit dhe gjashtë komunave të tjera qarkut të Fierit, të cilat tregonin paraqitjen në KZAZ-në numër 19. Në mbledhjen e pasdites së djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka toleruar opozitën dhe vendosi rrëzimin e vendimit të marrë nga KZAZ-ja 19, jo se ai nuk ishte ligjor, “por për t’i hapur rrugë procesit zgjedhor”, siç tha dje kryetari i KQZ-së, dhe kjo pasi dorëzimi i dokumentacionit në KZAZ-në numër 19 nga ana e përfaqësuesve të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” ishte në shkelje të plotë të afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Në argumentimin e tij kreu i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu drejtuar përfaqësuesve të përhershëm të PS-së në këtë komision tha dje se me këtë vendim po respektohet qytetari dhe e drejta e tij për të votuar. “Duke qenë se shkelja juaj s’e rrezikon aspak procesin zgjedhor, si dhe duke qenë se me mosmiratimin e kërkesës suaj ankimore do t’u mohohej zgjedhësve të kësaj zone e drejta e votës për të zgjedhur mes dy alternativave. Me këtë vendim nuk po bëjmë asgjë tjetër veçse po respektojmë zgjedhësit, pasi ata meritojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë”, – sqaroi Ristani. Nga ana tjetër, kreu i institucionit më të lartë zgjedhor në vend u bëri sërish thirrje partive politike pjesëmarrëse në garën elektorale të 8 majit që asnjë subjekt s’duhet të përfitojë nga shkelja e ligjit. Ndërsa për sa u përket argumenteve të Partisë Socialiste për pa rregullsi të KZAZ-së së Fierit të paraqitura një ditë më parë në KQZ, Ristani theksoi: “E keni gabim kur pretendoni që afati ligjor i përket datës 29 që ju del në llogarinë tuaj. Përveç kësaj me vendim të KQZ-së është përcaktuar dhe afati kohor, që është data 28 mars. Dhe kjo datë është pranuar edhe nga PS-ja kur vendosi të hynte në zgjedhjet e 8 majit. Gjithashtu administrata e KQZ-së konfirmon se KZAZ-ja numër 19 ka qenë në punë deri pas mesnate dhe deri në atë kohë ju nuk keni paraqitur listat tuaja për regjistrim. Ju mbase keni shkuar atje në orët e para të mëngjesit të datës 29 mars, por sidoqoftë paraqitja juaj ka qenë jashtë afateve ligjore”, - tha Arben Ristani. Në mbledhjen e së martës refuzimi për të regjistruar kandidatët e koalicionit të majtë në bashkinë e Patosit dhe gjashtë komunave të tjera nga KZAZ-ja numër 19 Fier ka bërë që të lindin debate mes kryetarit të KQZ dhe përfaqësuesit të PS-së në këtë institucion, Genc Gjonçaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›