E Diel, 1 Nëntor 2026

Informacion çdo javë për ujin dhe dritat në zonën turistike

07/04/2011  Prefektura e Durrësit ka kërkuar informacione të detajuara për investimet në sistemin e ujit të pijshëm dhe në rrjetin e energjisë elektrike për zonat turistike. Krerë të agjencive në Durrës, Shijak, Krujë e Kavajë kanë afruar informacione lidhur me investimet dhe masat që po merren për të pasur një sezon veror sa më të frytshëm për pushuesit. Prej vitit 2005 e në vazhdim çështje e sistemit të rrjetit elektrik ka përmirësuar dukshëm treguesit, ndërsa linjat e ujit të pijshëm janë shtrirë edhe në pjesët skajore të bregdetit në këtë prefekturë bregdetare.

Furnizimi me ujë dhe drita

Nga të dhënat që afrohen si dhe ka deklarimet e prefektit të Durrësit, Genci Alizoti, mësohet se kompania private që ka marrë administrimin e shpërndarjes së rrymës elektrike ka investuar një vit më parë rreth 8.5 milionë euro në sistemin e shpërndarjes. Kjo shumë parash është orientuar kryesisht në zonën bregdetare dhe në qendrat e mëdha administrative e turistike. Kështu e gjithë linja përgjatë bregdetit që nis në Shkëmbin e Kavajës, vijon në Golem e përfundon në pikën skajore të Plazhit të Gjeneralit është tashmë 20 KV. Investimet janë orientuar edhe në bregdetin në veri të qarkut deri në Gjirin e Lalësit e Draç duke e bërë këtë zonë shumë të frekuentuar në sezonin e verës. Institucioni i prefektit në Durrës ka thënë se do të monitorohet nga afër furnizimi me ujë e drita në bregdet, ndërsa që tani prefektura ka nisur të kërkojë informacione javore për gjithçka që lidhet me përmirësimin e treguesve në vijën bregdetare. Kompania është interesuar në ndërtimin e kabinave të reja, vendosjen e transformatorëve, shtrirjen e linjës ABC, instalimin e matësve, si dhe të bokseve kolektive për matjen e energjisë dhe të gjitha këto kanë ulur ndjeshëm humbjet në rrjet dhe kanë rritur arkëtimet. Prefekti Alizoti ka bërë të qartë se tani çështje kryesore mbetet furnizimi me ujë të pijshëm për Gjirin e Lalësit e Hamallaj-Rrishkull në anën veriore të bregdetit dhe Plepa-Golem në jug të plazhit të Durrësit. Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a në Durrës ka disiplinuar në masë të dukshme grafikun e lëshimit të ujit për të gjitha lagjet e Durrësit, Plazhin, Shkozetin, si dhe ka disiplinuar sasinë e furnizimit nga Fushë-Kuqe për në depot e saj në Durrës e Arapaj. Pas normalizimit të grafikut në Plazh tani vëmendje, sipas prefekturës, është drejtuar në përmirësimin e rrjetit për tek Shkëmbi i Kavajës. Prefektura ka qartësuar se ujëmbledhësi në Manskuri ka mundur të marrë përsipër furnizimin për në plazhin e Golemit duke sjellë ujin deri në bregdetin e Shkëmbit të Kavajës. Interesimi po përqendrohet për në pjesën e bregdetit që janë nën administrimin e Bashkisë së Sukthit, Ishmit, Katundit të Ri. Tubacioni 700 mm që nis në Fushë-Kuqe pranë Kurbinit përshkon dhjetëra kilometra deri në Durrës dhe kalon në disa njësi vendore. Ndërhyrja në këtë rrjet duke realizuar lidhje të paligjshme e ka ujësjellësin të organizojë disa kontrolle të shoqëruara me gjoba për rastet e keqadministrimit të rrjetit. Shoqëria Ujësjellësit ka prerë lidhjet në tubacionin kryesor duke rritur sasinë e ujit që vjen në bregdetin e Durrësit. Vetëm zona Plepa-Përroi Agait, ku përfshihet edhe zona e plazhit tek Shkëmbi Kavajës furnizohet me ujë të pijshëm mesatarisht me 4 mijë m3 në muaj nga 2000 m3 në muaj në vitin 2009. Po ashtu investimet kanë përmirësuar treguesit në depo. Në Arapaj depozitohet 6 mijë m3 ujë duke marrë kështu 2 mijë m3 ujë nga depo e Kavajës vetëm për Plazhin në këtë zonë. Prefekti në Durrës Genci Alizoti është shprehur se sezoni i këtij viti do të jetë shumë më cilësor në këtë drejtim dhe se pushuesve nuk do u mungojë as uji e as dritat. Prefektura ka detajuar edhe grafikun për të diskutuar me bashkitë e komunat çështjet që kanë të bëjnë me përgatitjen për sezonin turistik në bregdet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›