E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëton koka e Karlos Kueiroz

Barazimi 0-0 me Shqipërinë mund t’i kishte kushtuar shtrenjtë trajnerit të Portugalisë, Karlos Kueiroz.

Menjëherë pas ndeshjes, ai u vu në shënjestër nga kritikat e ashpra të shtypit vendas, por edhe atij ndërkombëtar, si përgjegjës kryesor i pozitës jo komode të kombëtares luzitane në renditjen e Grupit 1.

Megjithatë, ka qenë presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Gilberto Madail, ai që e ka shpëtuar në momentin e fundit, duke i thënë besim për të vazhduar punën e tij deri në fund të eliminatoreve të Botërorit 2010.

Kueiroz mori drejtimin e Portugalisë pas Euro 2008, kur u largua Felipe Skolari. Por nën drejtimin e tij, portugezët nuk po ecin mirë në rrugën drejt Afrikës së Jugut 2010: Fitorja 4-0 ndaj Maltës në ndeshjen e parë u pasua nga humbja 3-2 me Danimarkën dhe barazimet pa gola me Suedinë dhe Shqipërinë.

Finalistët e Euro 2004, gjysmëfinalistët e Botërorit 2006 dhe çerekfinalistët e Euro 2008, renditen të tretët në Grupin 1 me 5 pikë në 4 ndeshje. “Projekti i Karlos Kueiroz do të vazhdojë deri në 2010-ën, u shpreh presidenti Madail.

I thashë trajnerit se duhet të ruajmë kokën dhe të ecim përpara drejt Botërorit 2010, një objektiv që është akoma i realizueshëm”.

Madail tha se Kueirozit duhet t’i japim kohë, që të bëjë punën për të cilën e kemi emëruar. “Misioni i tij është tashmë të riorganizojë kombëtaren, një gjë që di ta bëjë edhe falë përvojës së tij, në mënyrë që të rikthemi te rezultatet e duhura.

Por Madil ka insistuar: “Objektivi ynë është që të fitojmë të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur në eliminatore”.  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›