Shpëtoni mareshalin Berisha!
Ditët e shkuara, Kryeministri i Shqipërisë harxhoi disa ditë, duke u përpjekur të sigurojë stabilitetin e një mandati të dytë. Prej fundjavës së shkuar, u zhvendos në bregdetin jonian, jo aq duke ri-përuruar rrugë dhe kanale, se sa në ndjekje të aleatit të ri në qeverisje, kryetarit të LSI-së.
Televizionet edhe dje vijonin të transmetonin kronikat ku Kryeministrit vizitonte një rrugë të inauguruar vetëm 5 javë më parë pranë fshatit Ilias në Himarë, ku jepte orientime se nga duhet të shkojë zhvillimi i vendit.
Në një bregdet ku ikin dritat dhe uji, apo ku betoni ka bërë kërdi të pakthyeshme, shefi i qeverisë me pamje vizionari, na tha se "do ti kthejmë sytë nga deti". (!)
Një përpjekje e re për të shmangur temat për të cilat ai duhet ti flaë publikut: retë e zeza të krizës ekonomike që po na mblidhen rëndshëm mbi kokë, dhe prag-kriza në PD pas rezultateve të 28 qershorit.
Pamundësisë për të bërë një kabinet qeverisës të qëndrueshëm brenda koalicionit të djathtë, i cili, me gjithë deformimin dhe vjedhjen e votave, nuk arriti të kalonte pragun i janë shtuar së fundmi, ashtu sic pritej, dhjetëra sherre e kulisa, që shumë shpejt do ta nxjerrin qelbin ën sipërfaqe.
Shpresa e re për mandatin e dytë, po i kushton shumë shefit të qeverisë. Në dy takime të publikuara prej shpalljes së aleancës javën e parë pas 28 qershorit, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk janë pajtuar për mënyrën e ndarjes së portofoleve qeverisës.
Ajo që nuk u tha për takimin e tyre në bregdetin jonian, ishte këmbëngulja dëshpëruese e Kryeministrit ende në detyrë për të mbyllur sa më shpejt formulën e qeverisjes, edhe duke siguruar shumicën legjislative prej 74 mandatesh në Kuvend, por edhe thesin e qeverisë, duke i lënë aleatit të majtë në qeverisje ca ministri pa peshë dhe pa ndonjë "gropë financiare".
Kryeministri është investuar pranë ndërmjetësve për të organizuar një takim me shefin e LSI-së dhe më pas është arritur te bisedimet, që kanë ngecur te dikasteret që u duhen lënë drejtuesve të forcës së majtë.
Fillimisht ishte folur për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së në krye të Kuvendit dhe marrjen e disa ministrive pa ndonjë peshë në qeveri, pak e shumë si varianti "Xhuvel" në qeverisjen e shkuar. Por një ndarje e tillë ishte e papranueshme nga të dyja kampet.
Nënkryetarja e PD-së, megjithëse me një turp zgjedhor për rezultatet e dobëta në marrjen e mandatet në një "bastion" blu, siç konsiderohet Shkodra dhe në përmasat e abuzimeve ditën e votimeve dhe numërimit të votave (kujtojmë rezultatet edhe 300 me 0 për PD-në duke vjedhur votat e PS-së), nuk ka pranuar të lërë postin e numrit dy të shtetit, atë të Kryetares së Kuvendit.
Zonja Topalli realisht nuk është aq e interesuar për ranglistën ku e vendos posti i Kryetares së Kuvendit, në hierarkinë e pushtetmbajtësve në Shqipëri, sesa për atë ku më së shumti ka "shkëlqyer": turizmin parlamentar (nuk ka lënë gjatë mandatit të shkuar cep të botës pa vizituar).
Nga ana tjetër, ministritë që i liheshin LSI-së ishin "pa bereqet", sepse nga ana politike nuk përfaqësonin peshën e 4 mandateve shpëtimtare që LSI-ja i jep PD-së për të qenë shumicë parlamentare, por nuk përmbushin as orekset e famshme pushtetmbajtëse të partisë së Metës.
Se çfarë kërkon nga ndarja e pushtetit, ish-Kryeministri i viteve 1999-2001, e ka thënë troç: Ministrinë e Brendshme, që është superministria që kontrollon jo vetëm anën ushtarake-policore të pushtetit, por edhe administrimin e pushtetit vendor.
Kjo është konsideruar si një kafshatë e madhe, që nuk mund t'i hiqet nga goja PD-së dhe t'i jepet një partie të vogël si LSI-ja, duke mos llogaritur këtu anën simbolike të përdorimit të Policisë së Shtetit mesnatën e nëntë vite më parë nga qeveria e Metës, për të ndaluar për disa orë ish-shefin e opozitës, Berisha.
Partia e Metës, nga ana tjetër nuk lëshon pe në marrjen e dikastereve të tjerë, që marrin një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit, Ministrinë e Shëndetësisë apo atë të Transporteve.
Por dikasteri i Shëndetësisë pretendohet të mbahet sërish nga PR-ja e Fatmir Mediut, i cili të vetmin mandat parlamentar do të mundohet ta shesë sa më shtrenjtë, për të mbajtur në këmbë një parti që për qytetarët shqiptarë prej 15 marsit 2008 quhet partia e Gërdecit.
Nga ana tjetër, PD-ja e Berishës nuk është gati të lëshojë as Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, dikasterit që për katër vitet e shkuara, përmes skandaleve qindra milionë euroshe, ka marrë pjesën e luanit nga buxheti i shtetit dhe do të vijojë ta marrë edhe qindarkën e fundit të parave që zhduken për rrugë, ura, apo ujësjellës.
Dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, pas "relaksit" në bregdet, Kryeministri më i qeshur i botës, në sy të kamerave u shpreh se në Shqipëri nuk ka asnjë lloj krize, as ekonomike (vendi po tret dhjamin dhe qeveria nuk ka asnjë lek për investime), as shëndetësore (kur larg qoftë, shqiptarët janë më të pambrojtur se kurrë në rastin e ndonjë pandemie gripi) dhe as morale (në pushtet po vijon të mbetet me vjedhje votash dhe deformim të vullnetit të shqiptarëve qeverisja që u ndëshkua më 28 qershor).
Këto kriza janë sot shumë më të rënda se asnjëherë, por më e madhe është kriza e marshallit të PD-së: pamundësia për të formuar e mbajtur në këmbë qeverinë.