E Diel, 1 Nëntor 2026

Bollano mirënjohje dhe përkrahje Kryeministrit

05/08/2009  Takimi vlerësohet si shkrirje e ngricës mes PBDNJ-së dhe PD-së

Marrëdhëniet mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Bashkisë së Himarës Vasil Bollano, njëherësh anëtar i kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, duket se po përjetojnë përsëri ditë të mira. Gjatë vizitës në zonën e Bregut kreu i qeverisë ka pasur një takim me kryebashkiakun e Himarës, me të cilin ka ndarë mendime të ndryshme rreth zhvillimit të kësaj zone. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë njofton se gjatë takimit Bollano ka deklaruar mbështetjen e tij ndaj iniciativave dhe angazhimeve të qeverisë. “Në përfundim të takimeve me banorë dhe të disa inaugurimeve të rëndësishme në zonën e Bregut kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për këtë vizitë, i shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe angazhimet e qeverisë në lidhje me zhvillimin e turizmit bashkëkohor dhe kulturor”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Afrimi mes Berishës e Bollanos vjen në një çast kritik të marrëdhënieve mes Partisë Demokratike të drejtuar nga Kryeministri dhe PDBNJ-së, pjesë e lidershipit të së cilës është edhe Bollano. PBDNJ-ja ka qenë aleatja e PD-së në katër vjetët e fundit dhe pjesë e qeverisë “Berisha”. Por para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit PBDNJ-ja, forca politike që mbron interesat e minoritetit grek në vendin tonë, nënshkroi kontratën e bashkëpunimit me Partinë Socialiste, rivalen kryesore politike të PD-së. Megjithatë, duhet theksuar se gjatë diskutimeve të lidershipit të PBDNJ-së se me cilën parti do të bashkëpunonin, PD-në apo PS-në, Bollano ishte shprehur për të zgjedhur mes dy opsioneve: ose daljes më vete në zgjedhjet e 28 qershorit, ose përfshirjen e PBDNJ-së në koalicionin “Aleanca e Ndryshimit”, që drejtohej nga PD-ja. Por kjo u hodh poshtë nga kryetari i partisë Vangjel Dule, i cili, i mbështetur nga disa anëtarë të tjerë të kryesisë së PBDNJ-së, përcaktoi shumicën dhe kështu u vendos kalimi në koalicionin “Bashkimi për Ndryshim”, që drejtohej nga PS-ja. Me përfundimin e zgjedhjeve, ku PDBNJ-ja fitoi vetëm një deputet në Qarkun e Vlorës, i cili i përkiste kryetarit Dule, në radhët e kësaj partie lindën përplasjet dhe sulmet mbi vendimin për kalimin me PS-në. Vetë Dule sulmoi socialistët, duke thënë se nuk mbrojtën ashtu siç premtuan votën e PBDNJ-së gjatë procesit të numërimit. Por ai theksoi se do të vazhdonte të ishte përkrah PS-së në opozitë. Megjithatë, analiza do të bëhet në një kongres të jashtëzakonshëm, që pritet të mblidhet gjatë këtij muaji.

Bollano

Gjatë takimit të djeshëm me kreun e qeverisë kreu i Bashkisë së Himarës, duke e falënderuar Kryeministrin Sali Berisha për vizitën në zonën e Bregut, i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e angazhimet e qeverisë në lidhje me zhvillimin e turizmit bashkëkohor dhe kulturor. Deklarata vjen ndërkohë që marrëdhëniet mes PD-së së Berishës dhe PBDNJ-së së Bollanos janë në ngërç.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›