E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpirt dhe zemër: gjithë të papriturat e Olen Çezarit

Videoklipi Anema e core është pjesa më spektakolare e albumit të fundit të Olen Çezarit titulluar Unexpected. Nga dje, albumi është në qarkullim në tregun muzikor italian. Anema e core (Shpirt dhe zemër) është një këngë klasike nga repertori napolitan i Salvatore DEsposito-s, të cilën violinisti shqiptar me karrierë në Itali, e ka shndërruar në një bukuri të rrallë, falë edhe interpretimit në piano të Sergio Cammariere-së dhe zërit të Lucio Dalla-s. Videoja është realizuar nga regjisori Jan Michelini, njëherësh fotograf i albumit të Çezarit. Unexpected përmban 13 tituj, këngë dhe muzikë për violinë nga repertori botëror, muzikë nga 13 vende të botës.

Prezantimi i albumit ka nisur nga Parisi, mbrëmje në La Grande Comédie ku violinisti shqiptar ka dalë në koncert me International Clandestine Orchestra.

Për Olen Çezarin 36-vjeçar flasin jo vetëm si për një virtuoz në violinë, por edhe për një mjeshtër të polivalencës stilistike. I pajisur me një talent të rrallë ai arrin ta bëjë për vete publikun me muzikën e tij universale që kombinon stile dhe tinguj të ndryshëm. Kam udhëtuar nëpër botë dhe çdo vend ka lënë shenjë të thellë në shpirtin tim. E bëra këtë album që tju sjell bukurinë e muzikës së këtyre vende. Kështu shprehet Oleni në faqet e brendshme të albumit që është i pari në karrierën e tij gati 20 vjeçare. Ai ia kushton së pari Babajit dhe së dyti nënës, falë së cilës mësoi të luajë dhe ta dashurojë violinën.

Olen Çezari u lind në Durrës më 1975. Fitoi një bursë për të studiuar në konservatorin e Santa Cecilia-s në Romë për ku udhëtoi bashkë me të ëmën. Ishin ditët e fundit të regjimit. Pak më vonë ndjek studimet në Mozarteum të Salzburgut. Kthehet sërish në Romë ku për të jetuar luan muzikë në rrugë. Aty takohet me një muzikant amerikan dhe vendos të udhëtojë drejt ShBA-së. Zbret në Nju Jork me violinën e tij dhe 1$ në xhep. Brenda pak kohësh e gjen veten duke luajtur blues, jazz, rock në kafene të vogla në shoqërinë e Lenny Kravitz, Sheryl Crow apo të grupit Maroon 5…

Virtuoz i muzikës klasike, i pasionuar pas tangos e blues-it, Olen Çezari luan me muzikantët dhe këngëtarët më të mëdhenj italianë. Njëri prej tyre është as më pak as më shumë por i ndjeri Lucio Dalla, zërin e të cilit adhuruesit e gjejnë në këtë album të parë të artistit italo-shqiptar.

Në secilin titull të albumit gjen tinguj nga një vend, – nga Turqia në Indi, nga Izraeli në Australi. Nga 13 titujt, ka vetëm një këngë shqiptare: A kanë ujë ato burime me vokalin e Elsa Lilës.

Të gjitha llojet e muzikës mund të jenë kinematografike komenton miku i ri i Olen Çezarit, regjisori Michel Hazanavicius, i laureuari me pesë Çmime Oscar në 2012-ën për filmin Artisti. Por muzika e Olenit ka diçka krejt të veçantë. Ajo është magjepsëse, plot kontrast. Duke pasur parasysh konkretisht një nga improvizimet e tij, them se ajo do të shoqëronte fare mirë një skenë dashurie po edhe zie. Është një muzikë në kontrapunkt me imazhin… Njëlloj si muzika e Bethovenit që i rri shkëlqyer skenave ultra të dhunshme të Portokallit me zemberek.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›