Shpirti i buzëqeshjes si shpëtim
Në romanin “SOS, një buzëqeshje”, vepra më e re e shkrimtarit Zija Çela, buzëqeshjen mund ta rrokësh tejet të zhveshur nga ekzistenca e saj. Sipas Parmenidit, filozofit të lashtë grek, mosqenia nuk mund të artikulohet me fjalë. Por, shkrimtari ka gjetur subjektin e buzëqeshjes, duke e mëshiruar te Jari Kaçinari, personazhi që përbën boshtin në roman.
Të shprehesh grafikisht me kaq llahtari e përkushtim për buzëqeshjen, ahere mungesa e saj duhet të jetë thelbësore për ekzistencën. Por buzëqeshja e lashtë e censuruar, buzëqeshja e keqpërdorur, e përbuzur nga tiranitë, shpesh e fashitur apo e maskuar nga dëshpërimi në qytetërimin e sotëm, rrezaton rikthimin në këtë roman. Është ardhje e brishtë, si rrotullim sferik i padukshëm, marramendëse, e plogët e njëkohësisht shpërthyese, e vizatuar nën amullinë provinciale brenda një qyteti të madh. Sa transcendencë të mrekullueshme ka dashuria që buron nga buzëqeshja e natyrshme. Dhe sa rrezikohet! Përpjetë e robëruar prej hapësirës që ka cak, tatëpjetë e kërcënuar nga greminat. Si metaforë e ringjalljes, ajo fryn e shkon e prapë, fryn dhe nuk vdes për jetë. Buzëqeshja mbetet përherë thesari sa i vyer, aq edhe problematik për njerëzimin. Në këtë libër dinjitoz të Zija Çelës çudia e buzëqeshjes ka trajtën e njeriut, atë të Jari Kaçinarit.
Po cili është ky Jari Kaçinari, me këtë emër kaq tingëllues?
Le t’i drejtohemi kërkesës ontologjike për të përfytyruar plotërinë dhe për të qetësuar kureshtjen leximtare. Vendlindja e tij është Balbona. Qyteti pa kufij të qartësuar, me një kohë të pagëzuar në tranzit, ku qarkullojnë përmendsh 118 këngë për lulet, 74 për nuset, në 37 prej të cilave përmendet hëna, ndërsa bilbili i ka veç këngët e tij. Sipas Rudi Bodinakut (një nga vipat e qytetit), balbonasit janë të marrë, ata besojnë se njerëzimi nuk është krijuar në Tokë, por në Hënë, ku dikur ka bërë batërdinë, duke e kthyer atë në shkretëtirë. Duket këtu etja për shkatërrim si pohim arkaik, po aq sa epshet e hepuara për modernizëm. Balbona, qytet me ngjarje tronditëse, numëron të vdekurit e saj dhe diskuton për llojin e monedhës, që duhet t’i vënë të vdekurit në gojë: “T’i vinin lekë, euro, dollarë, stërlina, franga apo jen? Globalistët ishin për euron. Siguria ishte monedha e arit”.
Por në Balbonë janë edhe dasmat e pohuara si spektakël, spektakël i të tjerëve, por ku ti luan rolin tënd. Nga qortimet, më i spikaturi është: “Mos shit mend”, se mendja e madhe është e zeza e të zot. Ndërmjet sharjeve më e rënda mbahet: “Ta dhjes qimen”; kurse lëvdata më e epërme: “S’ka më bir kurve sesa filani!”
Nga konkluza e anketimit të njerëzve, që përcillnin balbonasit e tjerë, balbonasit që niseshin për emigrim, spikat: “Ata që kthehen nga përcjellja, mbeten ata që janë, ndërsa ata që shkojnë, thonë se bëhen më të mençur... Në Balbonë, kur të merr rrokullima, fillojnë shtyrjet... Hipokritët llapin fjalë feste dhe mbajnë në fytyrë një çehre procesioni... Shumica e balbonasve, në mos horra, janë artizanë të maskës së tyre... Njerëz me tru plasteline, ku çdokush mund të lërë gjurmët e veta...”
Në roman vizatohet me mjeshtëri Balbona, si një realitet gjithëpërfshirës, ku e besueshmja dhe imagjinarja shtegtojnë te njëra-tjetra. Janë vlerat dhe antivlerat njerëzore të klasifikuara me imtësi në një hipotekim artistik. Veçohet humori gri dhe joshja e fantastikes. Janë meditimet e thella që gërmojnë mëvetësinë. Balbona e kërkon drejtimin e humbur në rrugë të fshehura. Në këtë qytet kaq të trazuar, adresat e të gjitha kohëve janë të përcaktuara. Këtu lëviz në rritje figura me perspektiva mitike e Jari Kaçinarit, të riut me misionin gati apostolik. Në letërsinë shqiptare është përmasa universale e buzëqeshjes.
“Jari, i pakufizuar nga Mbretëria e vet, ajo e buzëqeshjes dhe e humorit të mirë, që mund t’u falë pa fund... Dhe kështu, nëse peshohemi secili në kandarin e vet, ai del mbret... Jari me ballin e lartë si çirak filozofi, me ata sytë e mëdhenj si artist filmash dhe gushën ovale si mollët e Kakarit... fytyrë fëmije e më fëminore... si një pikturë e Zotit... Ai mendonte se Nertila është princesha e tij e vërtetë... Filozofia e tij, çdo e mirë vjen nga e mira”.
Jari Kaçinari është një gjeni, si rishpikës i buzëqeshjes së lashtë adamike. Si shpirt hyjnor, ai ka kombësinë e një atdheu metafizik.
Të shkruarit për buzëqeshjen dhe dashurinë njerëzore, përveçse frymëzim i çeltë poetik, për shkrimtarin Zija Çela është edhe si një qëndisje e bukur në mëndafsh. Më duket e largët, deri në pamundësi, të shkruhet një libër i tillë i pakrahasueshëm në gjetje. Ndoshta shkrimtarët e buzëqeshjes janë të rrallë.
Në romanin “SOS, një buzëqeshje” Jari Kaçinari është i gjithëpranishëm, si krijim fantastik që çik kulme cilësore. Mënyra e proçedimit sa mjeshtërore, aq edhe e mënjanuar nga stereotipat, manierizmat e rëndomësitë prozaike. Ngjason si poemë e pafund me trysni emocionale të fuqishme. Është rrëfenjë e magjishme, të cilën e dëgjoj për herë të parë. E përditshmja e konvertuar në irreale. Djegia e realiteteve në flakën vegimtare të krijimit. Përjashtësi e mbërritur nga përbrendësia. Shëmbëllesë e re e parapëlqyer nga mitet. Thuajse fekondacion hyjnor i buzëqeshjes humane me mirësinë e virgjër. E lexojmë si një mister të hapur. Si simbolin adhurues të buzëqeshjes kaq të domosdoshme. E dëgjojmë si uverturë ëndërruese brenda një gjumi rraskapitës. Është apoteoza e pikturuar në qiej të trazuar nga një dorë frymëzuese. Do ta thërrasim dendur Jari Kaçinarin.
“Thirrja përmban sinjalin ndërkombëtar SOS, si dhe tekstin e plotë të kësaj shkurtese”, - përfundon romani. Dhe neve na mbetet vetëm të përsërisim se në këtë thirrje është Jari Kaçinari - Shpirti i Buzëqeshjes si Shpëtim...