Zgjedhjet, SHBA: Qeveria përmbushi shumicën e standardeve
Shqipëria po ecën me ritme të shpejta dhe e sigurt drejt integrimit në BE, bëri përparim të dukshëm më 28 qershor dhe përmbushi shumicën e standardeve krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Këto vlerësime u bënë dje në Kongresin Amerikan ku Komisioni Amerikan i Helsinkit zhvilloi një seancë lidhur me sfidat me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor. Nisur nga ky vlerësim i qeverisë “Berisha”, Kongresi Amerikan shpreson në një marrëveshje këtë muaj të ministrave të jashtëm të BE-së për kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Gjatë seancës, kryetari i Komisionit të Helsinkit, senatori Benjamin L. Cardin, theksoi se ndërsa Bosnja ka bërë hapa prapa, kërkohet një riangazhim më agresiv i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe një bashkëpunim më serioz mes SHBA-së dhe BE-së. Gjatë raportimit për Shqipërinë, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stuart Jones, vuri në dukje se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ecur përpara, ku të gjitha vendet janë të angazhuara dhe po ndërmarrin hapa drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian, duke zbatuar reformat e duhura, si e vetmja rrugë drejt integrimit evropian. Lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Jones, tha se Shqipëria bëri përparim të dukshëm krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, duke përfshirë përmirësimet në regjistrimin e votuesve, kartat e identitetit dhe kornizën ligjore. Jones u shpreh se “sipas vlerësimeve të ODIHR-it, zgjedhjet e 28 qershorit përmbushën shumicën e standardeve”. Zgjedhjet në Shqipëri i përshëndeti edhe përfaqësuesi suedez, Bjorn Lyrvall. Sipas tij, Shqipëria ka ecur gradualisht drejt integrimit evropian, proces ky që ka marrë hov gjatë viteve të fundit. Në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian këtë muaj, ne shpresojmë të arrijmë një marrëveshje për t’ia kaluar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim komisionit përkatës. Në mënyrë të vazhdueshme, titullarë të institucioneve të rëndësishme botërore kanë vlerësuar dhe vazhdojnë të vlerësojnë progresin që Shqipëria arriti me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Meta-D’Elia: Italia, ndikim në BE për heqjen e vizave
Italia do të ndikojë në strukturat e larta evropiane për heqjen sa më të shpejtë të vizave për shqiptarët si dhe do të vazhdojë të jetë një avokate e Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Zëvendëskryeministri Ilir Meta takoi dje ambasadorin e Italisë në Tiranë, Saba D`Elia. Diplomati italian siguroi se “Italia do të vazhdojë të jetë avokate e Shqipërisë në përpjekjet e saj integruese në Bashkimin Evropian dhe do të luajë rolin e veçantë si promotore kryesore dhe mbështetëse në strukturat e larta evropiane, si për procesin e liberalizimit të vizave, ashtu dhe për aplikimin për anëtarësi të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Marrëdhëniet dypalëshe dhe integrimi evropian i Shqipërisë ishin temat kryesore të diskutuara gjatë takimit. “Italia ka qenë dhe mbetet partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë, si dhe një mbështetëse pa ekuivok e përpjekjeve integruese të vendit tonë në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, - theksoi z. Meta. “Për vetë historinë dhe raportet tradicionale mes popujve tanë, afrimitetin gjeografik dhe afinitetet kulturore mes tyre, marrëdhëniet me Italinë janë të natyrshme e parësore”, - deklaroi ministri i Jashtëm Ilir Meta.
Borchard: PS-ja në Kuvend, të respektojë BE-në
Parlamenti është vendi i opozitës, ndaj ajo duhet të kthehet, pasi vetëm në këtë mënyrë respekton BE-në dhe rekomandimet e saj. Pas ambasadorit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, dhe ambasadorit të OSBE-së të akredituar në vendin tonë, të cilët kërkuan dje që opozita të hyjë në Parlament, është ambasadori gjerman, Borchard, që kërkon rikthimin e PS-së në Kuvend. Gjatë një aktiviteti dje në Tiranë të një kompanie celulare, i pyetur për bojkotin që PS-ja po i bën Parlamentit, Borchard theksoi sot se “vendi i opozitës është në Kuvend”. Sipas tij, “me bojkotin cenohen disa reforma që patjetër kanë nevojë për opozitën, ndaj vendimet e rëndësishme merren në Kuvend dhe aty duhet të jetë dhe vendi i opozitës”. Borchard kërkoi që opozita të zbatojë direktivat e OSBE-ODIHR-it dhe t’i përmbahet deklaratës së Bashkimit Evropian për zgjedhjet. Dy ditë më parë më parë ishin ambasadori i KE-së, Lohan dhe ai i OSBE-së, Bosch, që dhanë mesazhe të fuqishme për kthimin e opozitës në Parlament. Sipas tyre, rezultati i zgjedhjeve ishte në rregull. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nuk janë pranuar nga opozita, e cila ka kërkuar hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave. Si pasojë, opozita bojkotoi Parlamentin, duke e cilësuar atë ilegjitim, kurse ndërkombëtarët në raportet e tyre për zgjedhjet i vlerësuan ato si të arrira, ndaj dhe kanë bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që opozita të kthehet në Kuvend.
Vizat, Fajon: Jo procedura shtesë për Shqipërinë
Parlamenti Evropian gjykon se për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen nuk janë domosdoshmëri procedurat shtesë. PE, debatoi dje në lidhje me liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, ku komisioni përkatës kërkoi që këto dy vende të mos kenë procedura shtesë. Komisioni i Parlamentit Evropian për Liri të Qytetarëve dhe Politikë të Brendshme paraqiti në Parlament dokumentin përmes të cilit raportuesja sllovene, Tanja Fajon, kërkon heqjen e regjimit të vizave edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën pas plotësimit të kushteve, pa aplikuar procedura shtesë për këto dy vende. Eurodeputetja sllovene Fajon vlerësoi në Parlamentin Evropian se në këtë mënyrë, Shqipëria dhe Bosnja nuk do të humbin më kohë për sa i takon liberalizimit të vizave për qytetarët e tyre. Fajon nënvizon se dallimet kohore në liberalizimin e vizave mes vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë dhe Bosnjës, kanë një kosto të rëndë politike dhe se për këtë arsye duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë më të mirë. Fajon ka theksuar se përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në propozimin aktual për liberalizimin e vizave nuk përbën asnjë precedent, pasi raste të ngjashme janë të njohura për BE-në. "Do të ishte e papërshtatshme nëse kjo mundësi nuk do t'u ofrohej edhe Shqipërisë dhe Bosnjës, dy vende me perspektivë të qartë për anëtarësim në BE", - tha Fajon. Në këtë mënyrë, referuar këtij propozimi, pritet që edhe Komisioni Evropian të japë fjalën e vet në lidhje me këtë proces. Shqipërisë dhe Bosnjës do t’u bëhet një vlerësim i arritjeve dhe më pas do të merret vendimi për liberalizimin e vizave.