Rama kërkon kutitë e privilegjeve
“Partia Socialiste nuk dorëzohet”, - është deklarata e Ramës pas rimarrjes së postit të lënë mënjanë për ca orë në selinë rozë. Është një ristart i sloganit të thinjur “Komunistët nuk dorëzohen”, a thua përballë si kundërshtarë politikë ka nazistët e fashistët e Luftës së Dytë Botërore. Por njëfarë justifikimi mbase e ka për të mbajtur në kuotë adrenalinën e elektoratit socialist, të cilin e ka bërë të rishpresojë se kjo qeveri nuk do të zgjasë e do të ketë zgjedhje pafundësisht deri sa ai t’i fitojë ato. Vetëm atëherë zgjedhjet do të quhen të rregullta e transparente; do të kenë përmbushur standardet dhe do të certifikohen nga ndërkombëtarët pa përjashtim. Kjo alibi nuk është se do të zërë rrënjë, pasi ndërkombëtarët në mënyrë pothuaj të përditshme kërkojnë që opozita socialiste të zërë vendet e saj në Parlament dhe të nisë bashkëpunimi për reformat që priten nga Shqipëria.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, tha ndër të tjera se “Kuvendi është vendi i duhur për bashkëpunim politik, qeveria e opozita duhet të bashkëpunojnë për rekomandimet për zgjedhjet...” Gjithashtu, po dje, ambasadori i KE-së Helmuth Lohan, duke iu referuar bojkotit të opozitës tha thuajse të njëjtën gjë, që debati më i mirë bëhet në Kuvend. Nga Brukseli, nga Uashingtoni, nga të gjitha selitë diplomatike dhe institucionet politikëbërëse në Evropë dhe më tej, mesazhet ftojnë kryesocialistin t’u japë leje 65 deputetëve të shkojnë në Parlament e të bëjnë detyrën për të cilën janë zgjedhur nga votuesit e tyre. Ambasadori suedez, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së BE-së, bëri një tur takimesh me politikën shqiptare dhe në PS; ai u takua më kryetarin dhe përfaqësuesit e “Mendimit ndryshe” e refreni i tij ishte po ai i pjesëmarrjes në Parlament.
Tashmë pasusit e mësuan se Rama nuk dorëzohet dhe kjo menjëherë ka urtuar kundërshtarët që e shikojnë vetën pas rizgjedhjes të përjashtuar nëse munden të thonë një mendje ndryshe nga ajo zyrtare që ka lançuar kryetari dhe të tijtë që janë shumicë e votuar. Njëherësh Rama hapi dhe kapitullin e dytë të rimarrjes së partisë së tij, bërjes së Partisë së re Socialiste, atë që ka në grupim vetëm besimtarë të tij, e si misionarë është krejt korrekt me premtimin e bërë që nuk është politikan. Pa dashje kryebashkiaku i rikthyer kryesocialist, jo në mënyrë surprizë, ka deklaruar se gjendet i rrethuar dhe po i kërkojnë të bëjë diçka që ai nuk do, por njëherësh dhe të tjerët, pra rrethuesit, që janë shumicë ndërkombëtare e vendase, nuk munden të bëjnë atë që ai do në të gjitha detajet e pallogaritura demokratikisht. Hapja e kutive nuk është ajo që ka si kryemerak i sapozgjedhuri Rama, pasi është në dije të brendisë së kutive, që kanë në thellësi trazira të prodhuara edhe nga partia e tij më 28 qershor. Madje, ka trazira të mëdha që i kanë zbuluar aleatët e hershëm, si Gjinushi, Milo e Veliaj, duke akuzuar drejtpërdrejt PS-në, që i ka marrë votat. Nuk harrohet këtu dhe denoncimi i LSI-së për vjedhje masive votash nga PS-ja e kjo vjedhje gjendet në kuti nëse ka ndodhur ashtu si theksohet në përballje të përhershme mediatike. Mbi të gjitha këto kërkesa Rama mban fort shtrënguar alibinë e tij të rezistencës së bojkotit në këmbim të hapjes së kutive, duke përafruar idenë me përrallat e “Njëmijë e një netëve” që zgjatnin marrjen e vendimit. Skema e moskonsumimit të mandatit legjitim e ka shtyrë atë drejt përgatitjes së protestave dhe kryesia e zbutur ka dalë në terren për të ftuar për të satën herë mbështetësit socialistë që të dalin në rrugë kundër qeverisë dhe mazhorancës për të përmbushur dëshirën e Ramës, sepse në koalicionin në qeveri matematikisht është shumica e shqiptarëve.
Pas propozimit të europarlamentares sllovene, për Shqipërinë është përshpejtuar koha e marrjes në shqyrtim të kërkesës së saj për anëtarësim në BE, por më kryesorja e kërkesës, për liberalizim të vizave. Pra në Bruksel është hapur një kuti për Shqipërinë, një kuti privilegji që kërkon sigurisht edhe disa detyrime të përmbushura. Ky akt kërkon nga evropianët një bashkëpunim të politikës shqiptare, të majtë e të djathtë, pozitë e opozitë, duke përcjellë mesazhe larg një krize nga Tirana. Kryetari i PS-së e di përmendësh këtë detaj dhe kërkon ta shfrytëzojë në maksimum, që ai të jetë fituesi i këtij kushti dhe askush tjetër. E në këtë garë kutish ai kërkon që të hapen kutitë e privilegjeve, duke vendosur kushte sipas oreksit të urisë së humbjes, me qëllim që të përfitojë maksimalisht dhe në këtë udhë bën detyrën e misionit të tij. Por, për një kuti shumë të vogël ai po përpiqet të djegë të gjithë kutinë e madhe në Bruksel, e cila qëndron hapur në pritje të reagimit të socialistëve e demokratëve në Tiranë, që u duhet një dakordësi në vend të tërheqjes së litarit. Është ajo që bën realitet lëvizjen e lirë si produkt i atyre reformave të bëra së bashku, por këtë herë Rama nuk gjen mbështetje nga asnjë arbitër, qoftë në Lindje e Perëndim. Vendimin e marrë për bojkot kryesocialisti mund ta zgjidhë me një kuti të vetme, nëse është në respekt të lojës së pastër zgjedhore. Nëse 65 deputetët socialistë votojnë në mënyrë të fshehtë pro ose kundër bojkotit të vendosur nga Rama, atëherë rezultati i kësaj kutie të hapur do të sillte humbjen e parë të kryetarit të rizgjedhur të Partisë Socialiste. Ishalla nuk kërkon edhe Lakrori të hapen kutitë e zgjedhjeve, sepse duket sikur ka marrë shumë mbi 6 për qind të votave në zgjedhjet e 26 shtatorit.