Makinat, vendimi, jashtë orarit zyrtar, vetëm tre krerët e shtetit
Kryeministri Sali Berisha u heq deputetëve dhe zyrtarëve të administratës së lartë të gjitha privilegjet e transportit rrugor. Projektligji i ri i qeverisë kushtëzon shtetarët në përdorimin e makinës, duke i kursyer buxhetit të shtetit 30 milionë dollarë në vit. Ky draft u njeh të drejtën e përdorimit të makinës zyrtare vetëm Presidentit, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit, ministrave, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe atij të Shërbimit Informativ, kryetarit të PS-së dhe disa krerëve të tjerë të institucioneve kushtetuese. Sipas Kryeministrit Berisha, nga heqja e privilegjit të makinave shtetërore për çdo rang të administratës, vendoset jo vetëm një standard i ri, por kursehen edhe shumë para. “Nuk po listoj mënyrat e abuzimit, sepse ky ligj vendos një standard të qytetëruar evropian. Kështu, kursehen mbi 30 milionë dollarë në vit dhe vendoset një normë me vlerë qindra milionë dollarë”, - u shpreh Berisha. Në projektligj përcaktohet që targë zyrtare, si të gjithë drejtuesit e lartë të shtetit, do të ketë edhe kreu i opozitës dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës. Por, që në rastin e z. Rama, do të përfitojë vetëm nga njëri pozicion. Berisha pohoi në mbledhjen e djeshme të qeverisë se me targë zyrtare do të jetë kreu i opozitës, i cili lëviz në shumë vende dhe në të gjithë botën trajtohet i barabarte me një ministër. “Por zoti Rama t’i harrojë të dyja bashkë. Se tani që u zgjodh prapë, nuk thonë dot se po i bëj favore”, - tha me të qeshur z. Berisha.
Duke qenë se asnjë kategori tjetër, përveç krerëve kushtetues, nuk do të ketë më makinë shtetërore në përdorim, qeveria ka ndarë në disa kategori të zgjedhurit dhe zyrtarët që do të trajtohen me bonuse mujore për mbulimin e shpenzimeve. Kategoria e parë janë deputetët dhe kryetarët e bashkive të mëdha, që do të marrin në muaj 45 mijë lekë, të cilin do ta menaxhojnë vetë për transportin e tyre. Të tjerët, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, drejtuesit e Krimeve të Rënda në gjykatë dhe prokurori nga 35 mijë lekë në muaj. Më pas vijnë kategoritë me trajtim 30 mijë lekë në muaj dhe kategoria e fundit me 20 mijë lekë. Por, çështja e transportit të zyrtarëve nuk pritet të mbyllet me kaq. Qeveria do të marrë së shpejti një vendim edhe për fatin e makinave, që janë aktualisht në pronësi të ministrive dhe gjithë dikastereve shtetërore që preken nga projektligji për transportin e zyrtarëve.
Sipas Berishës, projektligji do t’u japë fund abuzimeve në këtë fushë, duke theksuar se vendosja e kësaj praktike të re kursen së paku 30 milionë dollarë në vit. “Abuziviteti me këto praktika ka bërë që në institucione të ndryshme të shpenzohen nga 12 mijë dollarë në vit në 67 mijë dollarë për shoferët. Ne duhet të bëjmë transparencën. Shpatullat e taksapaguesve shqiptarë nuk e përballojnë dot diçka të tillë. Ndaj krijohet një kod i ri etik thellësisht i qytetëruar dhe jashtëzakonisht ndihmues në etikën dhe moralin e administratës shtetërore, shkëputet nga një praktikë tërësisht jashtë kohe. E kam theksuar edhe një herë se mesatarja për shoferin në administratën shtetërore është 19 mijë dollarë”, - deklaroi z. Berisha.
Kush ka të drejtën e makinës
1. Presidenti i Republikës,
2. Kryetari i Parlamentit
3. Kryeministri
4. Ministrat
5. Kryetari i PS-së
6. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë
7. Kreu i Shërbimit Informativ
8. Disa krerë të institucioneve kushtetuese
9. Kryetarët e bashkive të mëdha
Uikendi, kush paguan 50 mijë në vit
-Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri duhet të depozitojnë në llogarinë e institucionit 50 mijë lekë në vit për karburantin. Kjo, në rast se duan ta përdorin automjetin në kohën jashtëzyrtare.
Kujt i lejohet targa zyrtare
-Të drejtën e targës zyrtare do ta ketë edhe kryetari i opozitës, i cili në shumë vende në trajtimin zyrtar barazohet me një ministër.
-Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, pasi bashkia e kryeqytetit në Kushtetutë është e veçantë.
Deputetët 45 mijë lekë bonos për transportin
-Zyrtarët e tjerë, në kategorinë e parë, me targë jozyrtare janë vlerësuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarët e bashkive të mëdha të qarqeve.
-Këtyre zyrtarëve u jepet për transportin një bonus 45 mijë lekë, ku përfshihet amortizimi, karburanti. Parlamentit i lihet fleksibilitet që të mund të respektojë distancën.
Zëvendësministrat e këshilltarët, 350 mijë lekë
-Për kategorinë e dytë të zyrtarëve bonusi është 35 mijë lekë dhe këtu përfshihen zëvendësministrat, këshilltarët e Presidentit, Parlamentit, Kryeministrit, drejtuesve të enteve rregullatore, komandantët e Forcave të Armatosura, zëvendësdrejtorët e Policisë dhe Shërbimit Informativ, kryetari i Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Akademisë së Shkencave, rektorët e universiteteve, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e Prokurorisë dhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të shkallës së parë dhe të apelit.
-Bonusi për kategorinë e tretë është 30 mijë lekë dhe përfshin kryetaret e bashkive të tjera, drejtuesit e agjencive si ajo e pronave etj.
-Zyrtarët e tjerë trajtohen me 200 mijë lekë, të cilët kanë pasur veturë më tepër për traditë.