E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse kaq e vështirë reforma shëndetësore?

SHEFQET DELIALLISI

Dekadat e fundit, shkenca mjekësore ka ecur përpara me hapa gjigantë. Mjafton të përmendim teknologjitë diagnostikuese, …teknologjitë terapeutike biologjike, farmaceutike dhe procedurat e reja ndërhyrëse që kanë arritur në kufijtë e së pabesueshmes. Ky përparim është shoqëruar me një rritje të paparë të kostos së kujdesit shëndetësor, e cila po rritet si nga çmimi marramendës i menaxhimit të sëmundjeve kronike, ashtu dhe nga rritja marramendëse e prevalencës së tyre në mbarë botën. Shpenzimet për sistemin e kujdesit shëndetësor tashmë përbëjnë një problem të madh për të gjitha vendet, përfshi edhe ato më të zhvilluara ekonomikisht. Reformimi i sistemeve shëndetësore vazhdon të vendoset në qendër të garave elektorale, madje dhe të dominojë në skenën politike.
Është fakt, pothuaj të gjitha vendet janë të pakënaqura me sistemin e tyre të shërbimit shëndetësor. Të gjithë kërkojnë reformimin e tij. Dikush kërkon më shumë mekanizma tregu, dikush më shumë solidaritet social. Dikush mendon se sistemi vuan nga mungesa e konkurrencës, dikush se konkurrenca e tepërt e dëmton. Ndryshe mendojnë ekonomistët, që e shohin kujdesin shëndetësor si një industri shërbimesh dhe fokusohen në aspektin industri, duke nënkuptuar treg, konkurrencë, por dhe pabarazi. Ndryshe politikëbërësit dhe qytetarët, që fokusohen në aspektin shërbim, duke nënkuptuar nevojë, detyrë, drejtësi sociale (Kleinke 1997). Në shumicën e vendeve, politikat shëndetësore janë në gjendje fermentimi, konfuzioni asnjë zgjidhje e lehtë nuk propozohet, mbasi asnjë e tillë nuk ekziston (Fuchs 2010). Kjo ka bërë që hapat të jenë të pasigurt, që reforma të zgjasë, madje jo rrallë, mbas shumë përpjekjeve, konstatohet se rruga e ndjekur nuk është e duhura. Ndryshimet e efektshme në disa vende, në të tjera nuk funksionojnë. Kjo ka bërë që reformën shëndetësore dikush e konsideron Guri i Sizifit…, dikush tjetër një mirazh…, më pesimistët i referohen shprehjes franceze sa më shumë gjërat ndryshojnë, aq më shumë mbeten siç ishin (pluça change, plu ça la mem chose). Më racionalët: status quo nuk është opsion. Dhe ecin përpara…
Por le të shohim më konkretisht.
Të gjithë të pakënaqur
Të pakënaqur janë britanikët me shërbimin e tyre shëndetësor themeluar në vitin 1948, të projektuar si një shprehje e solidaritetit social, i financuar përmes taksave të përgjithshme, pa pagesë në momentin që kërkohet, sipas moralit dhe filozofisë: kujdes shëndetësor për të gjithë, pa pagesë. Në editorialin e 3 korrik 1948, në revistën mjekësore Lancet, me titull Sistemi ynë, triumfalisht deklarohej: Tashmë gjithkush ka të drejtën për një kujdes të plotë mjekësor. Mjeku mund ta sigurojë kujdesin pa menduar për fitimin e tij apo humbjet e pacientit. Tashmë prioriteti është vetëm mjekësor….
Dhe 63 vjet më pas, në janar 2011, përsëri në Lancet, këtë herë në editorialin me titull Fundi i sistemit shëndetësor kombëtar, thuhet: Universalisht pranohet që sistemi shëndetësor britanik është i sëmurë. Sistemi nuk ofron kujdesin për të cilin pacientët kanë nevojë. Një mister i madh qëndron në zemër të politikës britanike, – citohet Kryeministri David Cameron, – pavarësisht shumave të mëdha të hedhura në sistemin shëndetësor, përfitimet për pacientët është vështirë të identifikohen. Ka radhë të gjata për pranim në spital, disponueshmëri të pamjaftueshme për teknologjitë moderne diagnostikuese, racionim të tyre, dështim në modernizimin e spitaleve… (The Lancet 2011). Ndryshime dramatike paralajmërohen… Ruajtja e status quo-së nuk përbën një opsion. Por ka dhe mosbesim. Do të ndodhin vërtet ndryshime? Do të përmirësohet kujdesi për pacientët? Nuk e dihet!!! Më skeptikët: planet e qeverisë për të ardhmen janë radikale dhe të rrezikshme (Godle 2010).
Të kërcënuar ndjehen sistemet shëndetësore sociale të vendeve nordike. Në Suedi, shtetin e mirëqenies, shtetin më social në botë, që në qendër të suksesit konsideronte sistemin shëndetësor, në shkallë të gjerë janë duke u aplikuar reforma të tregut dhe privatizime për krijimin e një tregu të kujdesit shëndetësor. Është e paqartë nëse këto ndryshime do ta ruajnë barazinë sociale që e dallon sistemin suedez të kujdesit shëndetësor, shkruan Burstrom (2009).
Të pakënaqur në Kanada, gjithashtu vend me sistem shëndetësor social. Çdo gjë pa pagesë, por asgjë nuk është në dispozicion… Qeveria, për të zvogëluar koston, kufizon shpenzimet publike duke bërë që kërkesat e pacientëve tejkalojnë dukshëm furnizimin me kujdes shëndetësor. Brian Day, presidenti i Shoqatës Mjekësore kanadeze: Status quo nuk përbën një opsion. Pjesa më e madhe e mjekëve besojnë se nevojitet një reformë e rëndësishme, pjesë e së cilës duhet të jetë një sistem alternativ. Një rritje e sektorit privat në kujdesin shëndetësor prej të cilit do të përfitonte dhe sistemi shëndetësor publik. (Browne & Young, 2009).
Probleme në Gjermani. Gjermania po vendos ekonominë mbi etikën titullohet editoriali i Lancet (qershor 2010). Gjermania po shpenzon më shumë për kujdesin shëndetësor në raport me GDP se çdo vend tjetër (përjashto SHBA dhe Zvicrën). Ministri gjerman i Shëndetësisë, Rosler, është duke i bërë thirrje vullnetin politik për një paketë reformash në sistemin e sigurimit shëndetësor, për zvogëlimin e deficitit në fondin e sigurimit shëndetësor publik, i parashikuar të arrijë 11 bilionë euro në vitin 2011. Individët kërkohet të paguajnë tarifa më të mëdha deri në 2% të pagës së tyre bruto për të ndihmuar qeverinë. Këto reforma konsiderohen si rruga e vetme, ndonëse kjo shënon një ndryshim thelbësor të sistemit që orientohej nga parimi moral i solidaritetit (sistemi Bismarck), për të cilën Gjermania merrej si shembull. Për fat të keq, nuk është aspak e sigurt se sakrifikimi i një parim të tillë do të sjellë qëndrueshmëri në sistem. Vullneti politik është i pakët (The Lancet, 2010).
Kur Nikola Sarkozi kandidonte për President të Francës, shëndetësia nuk ishte një prioritet i tij. Gazeta Le Monde, më 13 qershor 2007, shkruante: Shëndeti, pika që mungon në reformat e Nikola Sarkozi. Arsyeja: sistemi shëndetësor francez perceptohej gjerësisht mirë nga qytetarët dhe përdoruesit për kombinimin e mirë të cilësisë dhe drejtësisë. Por, probleme ka dhe sistemi shëndetësor francez. Francezët janë në panik për koston në rritje të shërbimeve shëndetësore. Si të tjerët, edhe ata nuk kënaqen me asnjë paketë reformash. (Degos L, Romaneix F, 2008).
Por, le të hidhemi në krahun tjetër. Të pakënaqur janë dhe në SHBA, ku sistemin shëndetësor mbështetet në mekanizmat e tregut. Kërkohet një sistem shëndetësor më social: reforma shëndetësore Obama kërkon që qeveria të stimulojë përdorimin e medikamenteve më të lira, ti detyrojë kompanitë farmaceutike të shesin me gjysmë çmimi medikamentet për të moshuarit, të ndërhyjë në risigurimin shëndetësor, të futet në tregun e siguracioneve.
Asnjë vend nuk do të ëndërronte ti bënte gjërat në  mënyrën si ne i bëjmë – shkruan Ried në librin Shërimi i Amerikës (2005). Ne i kemi injoruar modelet e huaja, pjesërisht për shkak të eksepsionalizmit amerikan – duke menduar se qasjet e huaja kurrë nuk do të funksionojnë në Amerikë. Nga ana tjetër, shumë prej e asaj që ne dimë rreth vendeve të tjera është thjesht një mit. I tillë rezulton dhe përbindëshi i tmerrshëm, mjekësia e socializuar.
Siç dihet, Akti i reformës amerikane të kujdesit shëndetësor, cilësuar si Akti i të drejtave civile të shekullit të 21-të, u kthye në ligj më 23 mars 2010. Po më tej çdo të bëhet me reformën shëndetësore? Do të vazhdojë? Do të zhbëhet? Sdihet.
Një aforizëm i Uinston Çurçillit thotë: Amerikanët gjithmonë bëjnë gjënë e duhur pasi të kenë shteruar të gjitha alternativat

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›